PDK në kërkim të kandidatit për zgjedhje në Podujevë

Prishtinë | 13 Nën 2016 | 11:06 | Nga

Ka mbetur më pak se një vit deri tek zgjedhjet lokale, mirëpo Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të përgatitet për këto zgjedhje që janë të parapara për vitin 2017.

Të paktën këto përgatitje po bëhen në Komunën e Podujevës.

Burime të klankosova.tv, brenda strukturave partiake të PDK-së në Podujevë, kanë treguar se tashmë edhe janë propozuar disa kandidatë që do të garonin për kryetar të kësaj komune.

Sipas këtyre burimeve, janë tre emra që janë dhënë deri tani si opsione për të garuar në zgjedhjet e ardhshme.

Njëri nga këta emra është Hajredin Hyseni, që për momentin është Zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike.

Hyseni më parë ka qenë edhe deputet në dy mandate në Parlamentin e Kosovës.

Emër tjetër është Kadri Kastrati, ish-komandat i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit.

Tjetër propozim nga strukturat e PDK-së në Podujevë, gjithmonë sipas këtyre burimeve, është edhe ai i kirurgut, Skënder Murati.

Një nga arsyet për këtë mobilizim të hershëm supozohet të jetë diskursi i fundit nga aktorë politikë në Kosovë, se mund të ketë zgjedhje nacionale të parakohshme dhe bashkë me to, do të mund të bëheshin edhe ato komunale.

Vet kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një intervistë të tij kishte deklaruar se “nuk bëhet punë e madhe edhe nëse shkohet në zgjedhje”.

Kryetari aktual i Podujevës është Agim Veliu nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Parti kjo që bashkë me PDK-në udhëheqë edhe me Qeverinë e Kosovës, përfshirë pakicat.

 

Të ngjashme