PDK në kërkim të pasuesit të Bekim Çollakut

Prishtinë | 13 Tet 2016 | 20:12 | Nga

Partia Demokratike ende nuk e ka propozuar kandidatin e saj për ministër të Integrimit Evropian, duke e lënë këtë ministri pa udhëheqës për më shumë se 1 muaj.

Ministria e Integrimit Evropian ka mbetur pa udhëheqës që nga 9 shtatori, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku kishte ndërruar zyrë, për të kaluar si shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi.

Madje kjo ministri, nuk ka as ushtrues detyre. Zëvendësministri në largim Ramadan Ilazi në një prononcim për Kallxo.com e ka pranuar që kjo ministri ende nuk e ka një “zot” të saj.

“Ministria për momentin nuk ka një ushtrues të detyrës së ministrit. Emërimi i ministrit të ri është një pyetje për presidentin e PDK-së Kadri Veselin. Mendoj se partnerët e koalicionit duhet të caktojnë pa vonesë një ministër të ri”, tha Ilazi.

E nëse Qeveria nuk e gjen së shpejti zëvendësime për pozitat e ministrit dhe zëvendësministrit të Integrimit Evropian, kjo ministri rrezikon të mbetet pa asnjë udhëheqës, për shkak se Ilazi nga 1 nëntori pritet të udhëheq institutin e brendshëm politik të PDK-së, themelimi i të cilit u bë i ditur më 17 shtator.

Mirëpo këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, shpreson se nuk do të vijë deri te ajo pikë. Ai tha se janë në pritje që partneri i koalicionit të vijë me propozim.

“Ne presim që PDK-ja ta propozojë një kandidat, sepse është vend që i takon atyre. Në atë moment që ata do ta propozojnë, Kryeministri Mustafa do ta shqyrtojë atë, pra tash është në taborin e PDK-së”.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se caktimi i ministrit “është përgjegjësi e plotë e kryeministrit”.

Të ngjashme