PDK në Mitrovicë me kërkesa për rezolutë gjatë seancës për bashkimin e Mitrovicës

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi Komunal i Mitrovicës është duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga Agim Bahtiri, me një pikë të rendit të ditës – inicimin e ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim bashkimin e Mitrovicës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Donjet Bislimi, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë ka qenë dhe është për bashkimin e Mitrovicës, sot, nesër, kurdo dhe këtë e ka treguar konkretisht gjithmonë.

Por, fillimisht, ai ka thënë se duhet të ngritet një pyetje themelore. “Kush qëndron prapa kësaj ideje? A qëndron me të vërtetë Kryetari Agim Bahtiri, apo Vetëvendosje? Dhe, a është pikërisht ky momenti kur duhet të ngritët një çështje e tillë?”, ka thënë Bislimi.

“Ne edhe mund t’i besojmë ndoshta një përpjekjeje të mirë të Agim Bahtiri për ta ndërmarrë një iniciativë të tillë, siç është bashkimi i Mitrovicës së Jugut me Mitrovicën e Veriut. Por, ne jemi të bindur se prapa kësaj ndërmarrjeje fshihen idetë tepër të rrezikshme të Vetëvendosjes, e cila ka nuhatur momentin kur mund të shpërthejë dhuna – me të cilën Vetëvendosje është e familjarizuar – pas tensionimit që ka ardhur si pasojë e vendimit të Qeverisë për t’i vendosur taksë 100 % mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”.

“Me idenë që në këtë kohë të hapet si temë mundësia e bashkimit të Mitrovicës, kur komuniteti ndërkombëtar po shprehet i shqetësuar tej mase për mundësinë e tensioneve të reja në Ballkan, ka arsye të mëdha për të besuar se Vetëvendosje thjesht po provon ta çojë Kosovën drejt ndarjes”, ka shtuar ai.

Shefi i GP të PDK-së, po ashtu, ka rikujtuar se të gjithë e dinë që kufiri administrativ mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut është përcaktuar me Pakon e Ahtisaarit, dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

“Kjo mund të mos na pëlqejë, por ky është realiteti. Këtë Pako e ka votuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 2/3 e votave. Kuvendi Komunal i Mitrovicës, ligjërisht, e tëra çfarë mund të bëjë është që ta nxjerrë një Rezolutë, me të cilën i kërkon Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës që ta çojë më tutje këtë iniciativë për bashkimin e Mitrovicës. Kaq mund të jetë roli ynë sot këtu”, është shprehur ai.

Bislimi ka pohuar se PDK gjithmonë e ka deklaruar – MITROVICA E BASHKUAR. “Ishte PDK që vazhdimisht ka promovuar idenë e bashkimit dhe s’kemi pranuar kurrë ndarjen. Së voni, me projektin e Lagjes së Re, i cili parashihet të shtrihet edhe matanë Ibrit, dhe më herët me plot iniciativa dhe dëshmi të kësaj qasjeje, treguam që për PDK-në Mitrovica ka qenë, është dhe mbetet – NJË. Ne takojmë çdo ditë qytetarë mitrovicas, veri dhe jug. Ne jemi çdo herë aty ku kanë nevojë qytetarët. Se sa i rëndësishëm është Veriu, këtë e ka dëshmuar edhe Kryetari Kadri Veseli me deklarimet dhe veprimet e tij konkrete. E ka dëshmuar qeverisja e PDK-së me punët e saj konkrete dhe ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Është e qartë se Veriu dhe çdo pëllëmbë e territorit të Kosovës është i panegociueshëm. Prandaj, ne mund te vendosim mure ndarëse vetëm me Serbinë, në kufijtë zyrtarë të Kosovës. Sot, megjithatë, ne po flasim këtu për një iniciativë të ndjeshme, e cila kërkon maturi”, është shprehur ai. Bislimi më tutje ka kërkuar nga Bahtiri që seancën dhe këtë iniciativë për inicimin e ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim bashkimin e Mitrovicës, ta çojë deri në fund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme