PDK: Qeveria Kurti i dha goditjen e radhës SHBA-së, “Contour Global” largohet nga investimi milardësh në Kosovë

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për tu larguar përfundimisht nga Kosova si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

PDK vlerëson se kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre.

“Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdhaja amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë. Fillimisht u refuzua kërkesa e qeverisë amerikane për heqjen e taksës megjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane nga Kosova.”, është thënë në një komunikatë të kësaj partie.

PDK thotë se ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë. “Mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt të madh investimi flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë. Kompania amerikane “Contour Global” kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë viteve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare.”, ka vazhduar komunikata.

Të ngjashme