PDK: Të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve u morën nga dhoma e përgjimeve në Telekom, VV-ja do të shantazhojë çdo familje

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 15:49 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në një konferencë për media, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës dhe komunikimet e tyre 20 vjeçare janë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton EKonomia Online.

Sipas tij, tani e tutje kjo parti do të shantazhojë secilën familje kosovare dhe qytetar të këtij vendi.

Po ashtu, PDK ka bërë thirrje Prokurorisë të veproj menjëherë me hetime dhe që organet e drejtësisë t’i arrestojnë të gjithë zyrtarët e lartë në Telekom që lejuan këtë vizitë të paligjshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë në këtë dhomë.

Kjo është deklarata e plotë:

·      Që nga dita e parë e kësaj qeverie, shihet qartë tendenca për ta pushtuar çdo institucion dhe çdo individ në mënyrë të paskrupulltë dhe në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Edhe vendimi i fundit në mesnatë mbrëmë, për të organizuar protestën sot nga qeveria e territ, është presion direkt ndaj vendimit të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese. 

·      Megjithatë, shqetësim serioz paraqet skandali më i madh deri më tani i kësaj qeverie, siç është ndërhyrja e paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

·      Qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për veprimin e paprecedent, të rrezikshëm, të paligjshëm dhe arbitrar të kryeministrit në largim Albin Kurti, zëvendësit të tij, Haki Abazi dhe Ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla për hyrjen e tyre të paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

·      Gjatë kësaj vizite të paligjshme dhe të rrezikshme, është konfirmuar që janë fikur për disa ditë kamerat e sigurisë që monitorojnë dhomën e serverëve të përgjimeve. Dhe nga kjo dyshohet që përmes këtyre zyrtarëve të lartë të qeverisë janë futur persona të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë të gjitha komunikimet, telefonata dhe mesazhet e  qytetarëve të Kosovës të ruajtura për 20 vite. 

·      Sot, fatkeqësisht, të gjitha komunikimet private të mbi 1 milion burrave dhe grave të Kosovës gjatë 20 vjetëve sa operon Vala dhe Telekomi i Kosovës dhe të shumë familjeve, janë tanimë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky veprim përbën kërcënim real për çdo familje kosovare, për çdo qytetar, gazetar, pjesëtar të shoqërisë civile apo biznesmen, të cilët në çdo kohë tani e tutje mund të shantazohen për qëllime të ndryshme.

·      Deri më tani, gjatë 20 vjetëve sa ruhen të dhënat personale në Telekomin e Kosovës, nga kjo qendër e përgjimeve nuk ka dal kurrë ndonjë e dhënë personale apo komunikim privat i qytetarëve të Kosovës. Të vetmit persona të autorizuar me ligj për të pasur qasje në këtë dhomë të përgjimeve janë Prokurori i shtetit, i shoqëruar nga zyrtari përgjegjës për komunikim me Prokurorinë brenda Telekomit.

·      Prandaj,  është urgjente  që pas këtij veprimi  skandaloz, të paprecedent e të rrezikshëm, organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, konform përgjegjësive ligjore t’i vënë para përgjegjësisë dhe ti arrestojnë zyrtartët e lartë të Telekomit të Kosovës, anëtarët e Bordit dhe Drejtoreshën Ekzekutive që kanë shkelur ligjin dhe kanë lejuar qasjen e personave të paautorizuar. 

·      Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojë hetimet penale për këtë shkelje flagrante, të pa precedent, e të rrezikshme të Kryeminstrit Kurtit, Zëvendëskryeministrit Abazi dhe Ministrit të brendshëm Sveçla. 

Lexo më shumë:

Të ngjashme