PDK: VV-ja po instalon frikën dhe po përgatitet për dhunë në Kosovë

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës, dënon thirrjet e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes këto ditë për dhunë dhe vëllavrasje.

PDK konsideron se kjo gjuhë e dhunshme është e dënueshme sepse po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror.

Sipas tyre, këto deklarata të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

“Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzur me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Bojken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”, është thënë në komunikatën e PDK-së.

PDK e denon rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të ndihmuar dhe orkestruar edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë publike, të mbjelli përçarje, të nxisi konflikt civil e të shkeli rendin kushtetues. Pasojat e këtyre veprimeve janë të paparashikueshme dhe përgjegjësia totale për çfarëdo që ndodh ka për të qenë e gjitha e Lëvizjes Vetëvendosje” ka vazhduar komunikata.

Të ngjashme