PE i kundërpërgjigjet PDK-së dhe Presidencës pas akuzave kundër von Cramon për “ndërhyrje” në Speciale

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, ka marrë kritika dhe akuza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga këshilltarë të presidentit Thaçi, pas vizitës që ka zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Por, nga Parlamenti Evropian thonë se Raportuesit mund të zhvillojnë vizita në institucione të cilat janë të rëndësishme për shtetet të cilat i monitorojnë.

Këshilltarët e presidentit Hashim Thaçi dhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë vënë në shënjestër të kritikave e akuzave, Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pasi gjermanja ka qëndruar për një vizitë në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, e ka akuzuar Viola von Cramonin për “ndërhyrje politike”. Një qëndrim të tillë të Hoxhajt e ka rishpërndarë edhe këshilltari i Thaçit, Artan Behrami.

Akuza dhe kritika në drejtim të europarlamentares ka drejtuar edhe shefi i deputetëve të PDK’së, Memli Krasniqi.

“Qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar teksa shohin një anëtare të Parlamentit Evropian, një politikane teksa viziton Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara në Hagë. Ne kemi mësuar nga BE’ja gjithmonë që kur politikanët shkojnë për të takuar prokurorë e gjykatës, një gjë e tillë cilësohet si ndërhyrje politike. Kjo është saktësisht se çfarë ka bërë Viola von Cramon”, thuhej në kritikën e Hoxhajt.

Por cili është komenti i Parlamentit Evropian për gjithë kritikat dhe akuzat në drejtim të deputetes së tyre dhe  ka të drejtë Viola von Cramon të vizitojë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Nga PE thonë se Raportuesit mund të vizitojnë institucione të cilat janë të rëndësishme për vendin për të cilin një Raportues ka kompetenca.

Derisa shtojnë se Raportuesit mund të realizojnë udhëtime edhe zi zyrtar të delegacionit të Parlamentit Evropian por edhe individuale me qëllim të gjetjes së fakteve.

“Parlamenti Evropian nuk komenton aktivitetet e Raportuesve. Ata mund të mbajnë konsultime me homologë nga institucionet e shoqëria civile dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të cilët janë të rëndësishëm në vendin për të cilin kanë kompetenca. Ata mund të udhëtojnë në vendet që monitorojnë edhe brenda kornizës së një zyrtari të delegacionit të Parlamentit Evropian apo edhe vizitë individuale që ka për qëllim gjetjen e fakteve”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënëse e Parlamentit Evropian.

Të gjithë kritikat dhe akuzat ndaj eurodeputetes gjermane nga PDK dhe zyra e Thaçit kanë ardhur pasi kjo e fundit ka realizuar vizitën e saj në Dhomat e Specializuara të Hagës pak ditë pasi atje ka përfunduar intervistimi 4 ditor i presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe vetë Cramon s’ka qëndruar e heshtur përballë kritikave dhe akuzave.

Ajo i ka thënë Enver Hoxhajt se duhet të jetë në dijeni se si punojnë Dhomat e Specilizuara dhe Zyra e Prokurorir të Specializuar dhe se askush asnjëherë s’mund të intereferojë në ndonjë proces.

“Pse do të duhej ne që të intereferonim. Për ne kjo është e qartë si kristali. Si ju ka shkuar mendja për një gjë të tillë. Ndoshta kjo është e zakonshme në vendin tuaj. Por unë ju siguroj se nuk është e zakonshme në demokracitë funksionale”, kishte shkruar Cramon si kundërpërgjigje.

Viola von Cramon edhe në të kaluarën ishte përplasur me këshilltarët e presidentit Hashim Thaçi pasi kundërshtonte prishjen e koalicionit mes LDK’së dhe Vetëvendosjes.

Ajo gjithashtu është një avokuese shumë e madhe që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Para disa ditësh bashkë me disa kolegë nga Parlamenti Evropian i kanë kërkuar kancelare gjermane, Angela Merkel, që të përmbyllet procesi i liberalizimit gjatë presidencës gjermane në BE.

Të ngjashme