PE-ja shpreh shqetësim për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit

Prishtinë | 23 Shk 2021 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Shumë ngecje në luftën kundër korrupsionit në Kosovë janë shfaqur në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, e që është në diskutim në Komitetin për Punë të Jashtme. Lufta kundër korrupsionit është vënë më së shumti re në këtë raport, ndërsa theksohet shqetësimi i madh i PE-së për shuarjen e Task-Forcës brenda Policisë së Kosovës për luftën kundër korrupsionit.

Në tetor të vitit të shkuar, Task-Forca edhe pse ishte një nga hallkat kryesore që për një dekadë u mor me hetim të korrupsionit të profilit të lartë, me vendim të Qeverisë Hoti, u shua. Arsyetimi i kryeministrit Hoti ishte që me shfuqizimin e këtij vendimi “do të bëhej ndarja e pushteteve”.

Teksa është mirëpritur përkushtimi i Kosovës në avancimin drejt Evropës në këtë raport Kosova kritikohet për progresin e paktë në implementimin e Agjendës për Reforma Evropiane. Janë shprehur shqetësime edhe për shuarjen e Ministrisë për Integrim dhe është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurohet se strukturimi i ri garanton kompetencë e përgjegjësi në kuadër të koordinimit të procesit të integrimit.

Është mirëpritur edhe korniza ligjore për luftimin e korrupsionit, por janë hasur ngecje në implementim. Autoriteteve të Kosovës u është kërkuar të përforcojnë luftën kundër korrupsionit për të garantuar mirëqenie për qytetarët. Për sistemin e drejtësisë është kërkuar të ketë më shumë pavarësi e të ndalet ndërhyrja në rastet e profilit të lartë. Është kërkuar luftë më e madhe në konfiskimin e pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

Mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvendin e Kosovës ka qenë kritika tjetër në këtë raport.

Shqetësim tjetër është cekur edhe ndotja e madhe e ajrit.

Në Raportin për Kosovën është përshëndetur heqja e tarifës ndaj mallrave serbe dhe atyre që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, ndërsa është vlerësuar edhe Marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më shtator në Washington.

Të ngjashme