Pendarovski: Kosova u harrua nga BE-ja, çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është ankuar se praktikisht vendi i tij ishte harruar nga BE-ja dhe se mezi arritën të bëjnë një lloj kompromisi me Republikën e Bullgarisë që të mundësohet hapja e negociatave për anëtarësim.

Sipas presidentit, shkaku i pritjes nuk ishte edhe aq shumë mungesa e reformave, por edhe bllokimet e hapura nga vende anëtare të BE-së.

 Ai gjithashtu pohon se “disa vende evropiane nuk ishin të interesuara për rajonin e Ballkanit”.

“Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Dhe tani çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë, të jetë për Bashkimin Evropian?”, theksoi Pendarovski për Anadolu Agency.

Duke kujtuar se Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të avancimit drejt BE-së.

“Bosnjë e Hercegovina është vendi që objektivisht ka vuajtur më shumë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me më shumë viktima, mbi 100 mijë të vdekur dhe nuk e di, disa thonë mbi 2 milionë të shpërngulur. Ata nuk munden të përparojnë për shkak të kontradiktave të brendshme të njohura. Por edhe Evropa, sepse disa shtete janë më afër njërit entitet, të tjerat me entitetin tjetër, nuk ia zgjatën dorën për t’i nxjerrë nga humnera të cilës po i afrohen”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut thotë se si pasojë e kësaj situate po shpërngulen të rinjtë nga i gjithë Ballkani, duke shtuar se asnjë vend sot nuk ka aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë.

Të ngjashme