Për 4 vjet 98 mijë votues iu shtuan zgjedhjeve

Prishtinë | 27 Tet 2017 | 09:43 | Nga

Listës së votuesve nga 2013 iu shtuan 98 mijë e 39 votues, por në 2017 më pak votues dolën në zgjedhje në krahasim me 2013-ën.

Mbi 43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dolën në zgjedhjet lokale të mbajtura dy ditë më parë.

Dalje më të lartë në votime u shënua në Komunën e Mamushës përderisa ajo me e ulët ishte në Komunën e Skenderajt. Që nga 2013-ta e këndej mesatarisht mbi 24 mijë votues iu shtuan zgjedhjeve.

Numri i votuesve të mundshëm për zgjedhjet lokale në Kosovë është 1 milion e 890 mijë e 952.

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, numri i votuesve që kanë votuar është 819 mijë e 865 votues me një pjesëmarrje prej 43.68 për qind.

Deri më sot, KQZ ka procesuar 100 për qind të vendvotimeve.

Sipas të dhënave te procesuara të KQZ-së, në raport me numrin e votuesve potencialë, pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje u shënua në Komunën e Mamushës. Pjesëmarrja në këtë komunë ishte 65.29 për qind. Nga gjithsej 3 mijë e 935 votues të mundshëm, votuan 2 mijë e 569.

Në anën tjetër Komuna e Skenderajt është komuna që ka shënuar pjesëmarrje më të ulët të votuesve në zgjedhje. Votues të mundshëm në këtë komunë janë 54 mijë e 970 votues përderisa votën e dhanë 17 mijë e 4 votues apo shprehur në përqindje 31.58 për qind.

Në 6 komuna (Deçan, Skenderaj, Dragash, Mitrovicë e Veriut, Gjakovë, Klinë) dalja në zgjedhje ishte mbi 30 për qind e më pak se 40. Në 24 komuna pjesëmarrja sillej prej 40 deri në 50 për qind, në 6 komuna pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind, vetëm në dy komuna (Kllokot dhe Mamushë) pjesëmarrja kaloi 60 përqindëshin.

Në zgjedhjet lokale të 2013-ës, numri i votuesve ishte 1 milion e 792 mijë e 913. Numri i votuesve të cilët dolën në ato zgjedhje ishte 830 mijë e 371 me një pjesëmarrje prej 46.31 për qind.

Në bazë të të dhënave rezulton se 98 mijë e 39 votues në Koosvë iu shtuan listës së atyre që kanë të drejtë vote që nga viti 2013.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme