Për Institutin e themeluar para 11 vjetësh, Haxhiu thotë se po bëhet për herë të parë

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Me fushëveprim, me anëtarë dhe me platformë, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në vitin 2011.

Zyrat e Institutit fillimisht kanë qenë në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, pastaj në një objekt privat në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Po ashtu, Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe pati grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para.

Por, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po njofton në llogarinë e saj në Facebook se ky Institut po themelohet për herë të parë 11 vjet pas, në vitin 2022.

“Për herë të parë që nga paslufta, Republika e Kosovës do të ketë Institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, ka shkruar Haxhiu.

Ky vendim është marrë këtë të mërkure të 14 shtatorit nga Qeveria e Kosovës, e cila ka miratuar Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili do të funksionojë si Agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, derisa 76 për qind e tyre besohet se kanë qenë civilë. Ndërkaq, edhe më tej është duke u hulumtuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.

Të ngjashme