Për një ministri bllokohet koalicioni VV-LDK

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Një ministri ka bllokuar tërë procesin e krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Gazeta Blic nga burime brenda dy partive ka marrë vesh se dy partitë gjatë takimit të djeshëm edhe pse nuk janë dakorduar për marrëveshje, ato megjithatë nuk janë edhe shumë larg.

”Një ministri i ndanë këto dy parti. LDK po kërkon dy ministri në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit, derisa nga Vetëvendosje kanë shprehur interesim që për postin e kryeparlamentarit t’ia japin një ministri. Pra, LDK po i kërkon 7 ministri dhe presidentin, VV është e gatshme që t’ia jap 6 ministri dhe presidentin. Por në momentin që zgjedhet presidenti, LDK t’ia kthej njërën ministri Vetëvendosjes”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Gjithnjë sipas këtij burimi, LDK me gjasë do ta kërkoj Ministrinë e Punëve të Jashtme, post për të cilin Albin Kurti e kishte propozuar ditë më parë Blerim Rekën.

”Edhe nëse partitë pajtohen për numrin e ministrive, problem ndoshta mund të jetë ajo e Jashtmja, për faktin që Vetëvendosje pos të Brendshmes e konsideron si humbje në pushtet nëse tërhiqet edhe nga MPJ”, tha ky burim.

Ndërkohë, për sot pritet të mbahet takimini radhës ndërmjet dy liderëve: Isa Mustafa e Albin Kurti.

Takimi pritet të zhvillohet sot nga ora 14:00.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ditën e hënë i ka dhënë afat 48 orë Albin Kurtit që t’ia dërgoj emrin për mandatar për kryeministër.

Kurti ditën e hënë pak para se ta takonte Hashim Thaçin përmes një video mesazhi në Facebook i ka prezantuar ministrat që do të vijnë nga ana e Vetëvendosjes.

Ai i kishte bërë ftesë edhe LDK-së që t’i dërgoj 5 emrat për ministra.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri dje ka thënë se Vetëvendosje ose duhet të kthejë Kryeparlamentarin ose duhet të ketë një ofertë që e zëvendëson atë.

“Duhet me u arrit një marrëveshje dhe të ketë ofertë serioze prej Vetëvendosjes. Nuk është kërkesë e jona për ministrinë e gjashtë, por të jetë ofertë për me u zëvendësu Kryeparlamentari’’, ka thënë ai.

“Të ketë një qeverisje të balancuar. Ose me kthy Kryparlamenarin, ose ata e dijnë. Duhet të negociohet në parime të barabarta” tha Muhaxheri .

Ndërkohë, në këto momente Vetëvendosje e ka mbledhur Kryesinë e partisë.

Të ngjashme