Për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s, s’ka asnjë konfirmim për pjesëmarrje

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Deri më tani Këshillit Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë nuk ka marrë asnjë konfirmimi për pjesë marrje të delegacioneve e personaliteteve.

Në këtë fazë Këshilli Organizativ është duke u marrë me dërgimin e ftesave i ka thënë Ekonomia Online, Florent Rrahmani, anëtar i Ekipit Zbatues.

“Kjo është faza fillestare e dërgimit të ftesave, dhe se deri më tani ende nuk ka asnjë konfirmim se kush do të marrë pjesë”, tha Rrahmani.

Qeveria më 26 mars, ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, si iniciativë e katër Presidentëve – Presidentit Hashim Thaçi, ish-Presidentit Fatmir Sejdiu dhe ish-Presidentit Behgjet  Pacolli, të cilin e udhëheq ish-Presidentja Atifete Jahjaga.

Për nder të ditës së çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s, është paralajmëruar se vendin tonë do ta vizitojnë Hillary Clinton dhe Madeleine Albright.

Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Ndërsa, Cliton aso kohe ishte Zonja e Parë e Amerikës, pasi që bashkëshorti i saj, Bill Clinton mbante postin e presidentit dhe njihet për ndikimin e madh që kishte për ndërhyrjen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme