Dështon votimi për anëtar të KPM-së, konkursi do të përsëritet

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë anëtarin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), të martën në vazhdimin e seancës plenare, pasi në votimin e fshehtë, asnjëra nga dy kandidatet nuk arritën të siguronin numrin e mjaftueshëm të votave.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se konkursi duhet të përsëritet.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila prezantoi rezultatet e votit bëri të ditur se në votim kanë marrë pjesë gjithsej 91 deputetë, por 42 fletëvotime janë të pavlefshme. Kandidatja Violeta Hyseni-Kelmendi ka fituar 20 vota, ndërsa Teuta Hoxha-Morina 29 vota.

“Fatkeqësisht asnjëra prej kandidatëve nuk i ka marrë votat për të fituar këtë pozitë, prandaj konkursi përsëritet dhe un e them këtë me keqardhje sepse të dy kandidatet e intervistuara kanë qenë të shkëlqyeshme dhe në këtë Kuvend gjithmonë po vjen në shprehje të jetë dikush servil ose i dëgjueshëm”, u shpreh Musliu.

Të ngjashme