Për të kaluar mocioni i mosbesimit, kërkohen 61 vota

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 20:48 | Nga Ekonomia Online

Tash, që partneri i koalicionit qeveritar, LDK-ja, ka paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, hapi i radhës është mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve.

Sipas nenit 100, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, duhen firmat e 1\3 të të gjithë deputetëve që mocioni të shkojë për procedurë të mëtutjeshme në Kuvend.

Pra mjaftojnë 40 firma. Aktualisht, LDK-ja numëron 28 deputetë në Kuvend.

Sipas pikës 3 të nenit 100 të Kushtetutës, mocioni i mosbesimit vihet në rend dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.

Për të kaluar mocioni, duhen votat pro të shumicës të të gjithë deputetëve, pra 61. Këtë e precizon pika 4 e nenit 100 të Kushtetutës.

Në historinë parlamentare të Kosovës, vetëm një Qeveri është rrëzuar me mocion mosbesimi, ajo e Isa Mustafës në vitin 2017. Për mocionin e paraqitur atëbotë nga partitë opozitare kishin votuar pro 78 deputetë, përfshirë edhe ata të Lidhjes Demokratike që kishte kryeministrin.

Tash, LDK-ja është sërish në koalicionin qeveritar, por kryeministri i takon partnerit – VV-së.

LDK-ja mori këtë nismë para pak minutash në mbledhjen e Kryesisë, meqë gjatë ditës kryeministri Albin Kurti liroi nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, me arsyetimin se ka shpërndarë panik në kohën kur vendi po kalon emergjencë shkaku i koronavirusit.

Në rast se mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër nuk mund të ngrihet gjatë nëntëdhjetë ditëve të ardhshme. E nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

Të ngjashme