Përcaktimi i numrit të ministrive po mban peng Ligjin për Qeverinë

Prishtinë | 15 Mar 2018 | 15:54 | Nga

Pas 18 viteve të funksionimit pa një Ligj për Qeverinë, ekzekutivi i Kosovës, pritet që në fund të muajit nëntor të ketë Ligjin e saj.

Qeveria Haradinaj në bazë të planit legjislativ për vitin 2018, ka paraparë edhe Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, miratimi i së cilës është caktuar me 20.11.2018.

Deri në vitin 2008 struktura dhe funksionet e degës së ekzekutivit kanë qenë të rregulluara me Rregulloren e UNMIK 2001/19. Në bazë të kësaj rregulloreje, e cila ka pasur statusin e ligjit, janë themeluar dhe kanë funksionuar 15 ministri. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, pas 15 qershorit 2008 Qeveria nuk i është referuar më rregullores së UNMIK-ut.

Por, edhe përkundër thirrjes që të bëhet ky Ligj, për shkak të rëndësisë së tij, asnjë qeveri deri më tani nuk e ka miratuar Ligjin për Qeverinë.

Ekzekutivi aktual vlerëson se nevoja e këtij Projektligji konsiston në mbulimin e fushës së organizimit, funksionimit dhe kompetencave të anëtarëve të Qeverisë, duke saktësuar ndarjen e punëve dhe të raporteve mes tyre, si institucione ekzekutive, dhe raporteve me organet e institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës.

Nga Zyra për Komunikim me Publikun e Qeverisë së Kosovës, për lajmi.net kanë dhënë detaje se çfarë parasheh ky projektligj.

Aty thuhet se me anë të Projektligjit, përcaktohen parimet udhëheqëse të Qeverisë, si pushtet ekzekutiv, që udhëhiqet nga parimi i respektimit të ligjit, përgjegjshmëria, transparenca, si dhe nga parimi i efikasitetit dhe efektshmërisë.

“Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kompetencat e Qeverisë në dorëheqje”.

“Po ashtu me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë, metodat e punës së Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për lajmi.net.

Numri i ministrive në ekzekutivin e vendit nga 15 sa kishte deri në vitin 2008, vazhdimisht është rritur, duke bërë që Qeveria e Kosovës të jetë ndër më të mëdha në Evropë.

Aktualisht Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka 21 ministri dhe një numër të madh të zëvendësministrave. E përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se Ligji për Qeverinë nuk ka pasur deri më tani trajtim institucional.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për lajmi.net se një elementet e këtij ligji do duhej të ishte përcaktimi i numrit të ministrave, që sipas tij mund të jetë arsyeja pse nuk po miratohet ky ligj.

Ai është shprehur skeptik që një ligj i tillë mund të miratohet së shpejti.

“ Ky ligj, në masë të madhe, ka qenë jashtë fokusit të qeverive e subjekteve politike, pasi që asnjëherë deri më tani nuk është trajtuar me seriozitet. Një nga elementet kryesore të këtij ligji do të duhej të ishte edhe madhësia e kabinetit qeveritar, pra përcaktimi i numrit të ministrive. Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet pse nuk po miratohet ky ligj, sepse do të kufizonte mundësitë për shpërndarje të ministrive sipas marrëveshjeve politike që lidhin subjektet politike, ashtu siç ka ndodhur deri më tani. Andaj, duke pasur parasysh këtë logjikë të politikbërjes, është e vështirë të mendohet se ligji për Qeverinë mund të miratohet së shpejti”, është shprehur Murati për lajmi.net.

Sipas një analize të Institutit GAP, në prill të vitit 2009 Qeveria dërgoi në Kuvend Projektligjin për Qeverinë. Mirëpo,në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, Projektligjit të Qeverisë nuk i ishte bashkangjitur vlerësimi i ndikimit financiar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme