Përfaqësues të partive politike kërkojnë të punohet më shumë për diasporën

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 11:33 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të partive politike në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar që të punohet më shumë për diasporën. Në kuadër të konferencës katërditore “Diaspora Flet”, Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim Germin, mundëson që bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës të debatojnë bashkë me deputetët, raporton Ekonomia Online.

Në seancën që u modern nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se ministria e Diasporës duhet të bëjë më shumë për përfaqësimin politik të bashkatdhetarëve.

“Në përfaqësimin politik kemi ngec mbrapa dhe besoj se ministri i Diasporës do ta merr me seriozitet, mospërfshirja e diasporës po mungon në vendimmarrjen e përditshme në Kosovë. Për të rrit këtë përfaqësim duhet të veprohet në tri aspekte: të shohim sa mund të ndryshojmë legjislacionin tonë; të krijojmë kushte për votim të diasporës në procese të rregullta (këtë e kemi, por pjesëmarrja është e vogël dhe pasi që kjo nuk po funksionon duhet të ndërmarrim diçka tjetër), fuqizimi i rolit të diasporës në ekonominë e Kosovës”.

Elmi Recica, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se pa ndihmën e diasporës Kosova do të gjunjëzohej para Serbisë. Prandaj sipas tij, edhe duhet që të ketë vëmendje të shtuar për ata që ndihmuan ndërtimin e Kosovës.

“Diaspora shqiptare është dëshmuar në të gjitha fazat e zhvillimit të kombit tonë dhe shteteve tona. Mbështetja politike, financiare, pa ju pa diasporën periudhë e viteve ‘90 do të kishte ndikuar në aspektin politik kombëtar, pa ndihmën tuaj Kosova do gjunjëzohej para Serbisë”.

Sami Kurteshi, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se diaspora duhet të shihet si subjekt për krijimin e politikave dhe zhvillimin e ekonomisë.

“Mërgata shqiptare jo vetëm gjatë luftës, por edhe më vonë është motori i mbajtjes gjallë të jetës shoqërore dhe ekonomike. LVV-ja dëshiron që diasporën të mos ta sheh jo si objekt për mjelje, por subjekt për krijimin e politikave dhe zhvillimin e ekonomisë”.

Dardan Sejdiu në emër të PSD-së, ka përmendur iniciativën për diskutim lidhur me kartonin e gjelbër që sipas tij, lehtëson udhëtimin e mërgatës në Kosovë.

“E kemi nis iniciativën për të diskutuar për kartonin e gjelbër, e cila lehtëson udhëtimin e mërgatës në Kosovë, rruga përpara është sëbashku, Kosova ka nevojë për zhvillim”.

Ahmet Isufi në emër të AAK-së, tha se duhet që të fokusohemi në zhvillim ngase sipas tij, një Shqipëri e fortë një Kosovë e konsoliduar mundësojnë integrimin.

“Të fokusohemi në zhvillimin ekonomik, sepse një Shqipëri e fortë një Kosovë e konsoliduar, është obligim i yni ta konsolidojmë kombin tonë në integrimet që na presin të jemi komb që ju japim të tjerëve”.

Bilall Sherifi, në emër Nismës Socialdemokratet, tha se duhet që të largohen ndasitë nga të dyja palët në mënyrë që të vazhdohet përpara.

“Për 18 vite vend se të hapen dyert e diasporës nuk e kemi bërë sepse jemi frikuar se po në zënë vendin. Duhet të largojmë këto ndasi të paqëndrueshme, sepse ne kemi nevojë për ju dhe jo e kundërta”.

Pas përfundimit të mbledhjes kushtuar diasporës, pjesëmarrësit e konferencës do të jenë pjesë e katër mbledhjeve të ndara nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme