Përfaqësuesi i BE-së në Beograd: Dialogu s’e ndal Serbinë të ecë drejt anëtarësimit

Prishtinë | 10 Maj 2021 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha sot se reformat në fushën e sundimit të ligjit janë urgjente për përparimin e Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE, duke theksuar se dialogu Kosovë-Serbi nuk është parakusht për hapjen e kapitujve të rinj.

Duke folur në RTS, ai tha se është herët të thuhet nëse Serbia do të hapte kapituj të rinj në konferencën ndërqeveritare në qershor, por që tani është e nevojshme që qeveria në Beograd të përqendrohet në reformat që japin rezultate dhe jo vetëm te “koncepti abstrakt i reformave”.

“Detyra për këtë vit është që Serbia të përqendrohet në reforma, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës”, tha Fabrizi.

Ai gjithashtu vlerësoi se procesi i reformës në Serbi ka përparuar, por në disa fusha, siç është sundimi i ligjit, ai përparim është shumë i vogël.

Ai gjithashtu përmendi se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë nuk është parakusht për hapjen e kapitujve të tjerë.

“Procesi i negociatave përfshin fusha të ndryshme, njëra prej të cilave është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën, dhe tjetra sundimi i ligjit. Normalizimi i marrëdhënieve kërkon një partneritet të fortë dhe angazhim për dialog”, tha ai.

Fabrizi theksoi se tani Kosova, pas zgjedhjeve të fundit duhet t’i përkushtohet më shumë dialogut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme