Përfshirja e Rusisë, cili ishte roli i saj në negociatat e kaluara Kosovë-Serbi?

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Negociatat ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe e marrëveshjes eventuale finale kanë ndarë partitë politike dhe qytetarët e vendit. Por, një zhvillim që po diskutohet tani është edhe përfshirja eventuale e Rusisë e cila e ka në dorë fatin e Kosovës për anëtarësimin e saj në OKB, si shtet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.  Por, cili ishte roli i këtij shteti në negociatat e kaluara?

Përfshirja eventuale e Rusisë në negociatat aktuale Kosovë-Serbi nuk do të ishte e para. Kjo përfshirje ka një histori të gjatë që daton nga koha e luftës, kur u zhvilluan edhe bisedimet e Rambouillet-së.

Rusia është një kundërshtare e palëkundur e Pavarësisë së Kosovës për shkak të lidhjeve të forta historike që ka me Serbinë, edhe pse në formatin e njohur si Grupi i Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermnia, Italia dhe Rusia), për çështjet jo statusore shpesh pajtohej me shtetet perëndimore. Madje rusët në vitin 2005 në Londër ishin dakorduar me partnerët perëndimorë rreth parimeve prijëse në bazë të cilave do të zhvilloheshin bisedimet për statusin final të Kosovës.

Rambouillet-ja

Në vitin 1999, Rusia e kishte përfaqësues në bisedimet e Rambouillet-së negociatorin Boris Mayorski.

Rusia kishte komplikuar negociatat e atëhershme duke refuzuar pjesëmarrjen në diskutimet e tekstit ushtarak (ku kërkohej pranimi i prezencës së trupave të NATO-s brenda territorit Jugosllav), ani që nuk kishin ndaluar që një gjë e tillë të ndodhte.

Sidoqoftë, siç dëshmonte në atë kohë diplomati i njohur evropian Wolfgang Petrisch, roli i Rusisë kishte qenë korrekt gjatë këtyre bisedimeve.

“Isha i pranishëm kur Jugosllavët (serbët) e goditën fort Boris Mayorskin, sepse ai po tregohej i drejtë dhe po ashtu shumë i ashpër me ta kur po tregoheshin kokëfortë.” – kishte thënë ai,

Duhet thënë se Rusia që udhëhiqej nga Boris Yeltsin në atë kohë ishte në pozicionin më të dobët ekonomik e politik në tridhjetë vitet e fundit duke mos bërë zhurmë të madhe as kur NATO pak javë më vonë bombardoi caqet jugosllave, pasi delegacioni i Kosovës nënshkroi Akordet e Rambujesë.

Post-Ahtisaari, faza shtesë

Dështimi që të arrihej një marrëveshje në procesin negociator të Vjenës që udhëhiqej nga Marti Ahtisaari, çoi në një fazë shtesë diskutimesh që do t’i kishte në krye tre diplomatë, njëri përfaqësues i BE-së, tjetri i ShBA-ve dhe i fundit i Rusisë.

Diplomati i BE-së ishte Wolfgang Ischinger, ai i ShBA-ve ishte Frank Wisner ndërkaq nga Rusia do të merrte pjesë Alexander Botsan-Kharchenko.

Edhe këto negociata do të dështonin, dhe më pas do t’i hapej rrugë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Sidoqoftë, treshja ndërkombëtare i kishte vetëm 120 ditë kohë për bisedime, ndërkohë që ambasadori rus kishte qenë i vetmi i cili nuk kishte menduar se ajo fazë shtesë negociatash kishte dështuar.

“Unë besoj se palët nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, por unë nuk mendoj se kjo fazë shtesë e negociatave ka dështuar.” – kishte thënë ai.

U.S. envoy Frank Wisner, left, EU envoy Wolfgang Ischinger, center, and Russia’s representative Alexander Botsan-Kharchenko, are seen at a press conference after their final talks with Serbia’s negotiating team for Kosovo, in Belgrade Monday, Dec. 3, 2007. The international mediators for Kosovo and U.N. war crimes prosecutor Carla Del Ponte visit Serbia as the troubled Balkan country struggles on two fronts, to keep its breakaway province and to move closer to the European Union by arresting war crimes fugitives. (AP Photo/Srdjan Ilic)

Pikërisht diplomati në fjalë që konsiderohet si specialist i Ballkanit, tash në cilësinë e ambasadorit rus në Beograd, do ta rihapte debatin për përfshirjen ruse në dialog.  Ai iu tha mediave serbe  se vendi i tij do të përfshihej nëse do t’i vinte një ftesë nga Serbia.

Edhe i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përmes zëdhënësit të tij nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë. Dick Custin, kishte deklaruar ditë më parë se “Rusia dhe kushdo tjetër që ka ide për paqe, stabilitet e prosperitet në Kosovë e Serbi është i mirëseardhur.”

Kjo deklaratë ishte konsideruar si problematike nga eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, i cili madje kishte shkuar një hap më tej duke thënë që “ShBA-ja do t’i  bënte Kosovës presion të madh që ta lejonte Rusinë të përfshihej në proces.” Oferta ruse ishte hedhur poshtë edhe nga Gjermania. Zyrtarë të qeverisë gjermane për Gazetën Express se dialogu zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE’së.

“Dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë është i rregulluar nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian’, i kanë thënë Gazetës Express zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë gjatë javës.

Por, cili është pozicioni i Rusisë për “korrigjimin e kufijve”?

Në deklaratën e dhënë së fundi, ambasadori rus Botsan-Kharchenko nuk ka përjashtuar as idenë e korrigjimit të kufijve nëse “palët do të merreshin vesh”.

Nuk ka dyshim se përfshirja e Rusisë në dialog do të ishte në favor të Serbisë, gjë që tregon edhe një herë arsyen pse Qeveritë e Kosovës duhet ta marrin seriozisht çështjen e dialogut dhe marrëdhënien me ShBA-në.

Të ngjashme