Përfshirja e SHBA-së në dialog, garanci për zbatimin e marrëveshjeve

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 08:30 | Nga
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, disa ditë më parë ishte shprehur se nuk do të ketë bisedime me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-së në dialogun që po zhvillohet mes dy vendeve në Bruksel.
Ai madje pati paralajmëruar se nuk do të ulet fare në tavolinë të bisedimeve pa prezencën e SHBA-së, shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Nuk mund të vazhdojmë dialog nëse nuk është Amerika në tavolinë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Kjo për faktin se përfshirjen e SHBA-së në dialog Haradinaj e ka cilësuar si qenësore për t’i çuar bisedimet përpara.

“Roli amerikan është i nevojshëm për paqen”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se “rolin e Amerikës në tavolinë e shohim si nevojë thelbësore”. “Bisedimet do të duheshin përfunduar me njohje reciproke të shtetësisë mes Kosovës dhe Serbisë”, pati thënë ai.

Por për përfshirjen e SHBA-së në dialog Zyra e BE-së nuk ka dhënë ndonjë sinjal të qartë se a do të ndodhë një gjë e tillë, apo jo. Ata në deklaratën e tyre të fundit as nuk e mohuan e as nuk e pohuan një gjë të tillë.

“Të dyja palët kanë rënë dakord të fillojnë punën në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini, ka rikonfirmuar kohët e fundit se dialogu ka hyrë në një fazë të re”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Propozimin e kryeministrit Haradinaj për përfshirjen e SHBA-së në dialog e kishte përkrahur edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili këtë gjë e konsideronte si të domosdoshme

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme