Përfundon aksioni i Policisë, Kurti: Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen, do të luftohen

Prishtinë | 13 Tet 2021 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka përfunduar operacioni policor kundër kontrabandës së mallrave. Shefi i ekzekutivit në reagimin e tij ka bërë thirrje që qytetarët në veri të mos bien pre e disa mediave serbe, të cilat mbrojnë krimin e korrupsionin.

Kurti ka thënë se operacioni është zhvilluar në disa lokacione të ndryshme, që ka për qëllim luftimin e kontrabandës.

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri)”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se gjatë operacionit janë sekuestruar mallra e dëshmi.

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova material”, pohoi ai.

Në fund, Kurti ka shkruar se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe se do të luftohen.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor ka nisur në orët e hershme të mëngjesit, kundër kontrabandës së mallrave.

Policia ka theksuar se ka goditur rrjetin e kontrabandës, ndërsa gjatë zhvillimit të aksionit në veri, serbët kanë sulmuar Policinë e Kosovë, duke hedhur gurë në drejtim të tyre. Po ashtu ata kanë djegur edhe disa vetura me targa RKS.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se “të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”. /Telegrafi/

Të ngjashme