Përfundon takimi i AKK-së me Osmanin: Listat për paga do t’i dorëzojmë më 10 shtator

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se duan që greva të marrë fund me bisedime mes palëve.

Ai tha se e njoftuan Osmanin për atë se çfarë kanë bërë si komuna, teksa shtoi se në këtë rast komunat nuk janë palë, por janë ato që po e paguajnë çmimin pasi edhe administratat komunale janë në grevë.

“Ne e kemi dhënë dhe do të vazhdojmë ta japin kontributin tonë, ndërsa sa i përket asaj që është kompetencë e nivelit komunal, e që ka qenë përgatitja për fillimin e vitit të shkollor, ne të gjitha i kemi bërë më kohë”.

“Çështja pse s’ka filluar mësimi është çështja e grevës dhe diskutimi që patëm me presidenten ishte se epilogu të jetë përfundimi i grevës por ky përfundim i grevës nuk mund të bëhet nëse nuk do të ketë bisedime mes palëve”.

“Pra, ky ishte qëllimi i takimit dhe ajo që është detyrë e komunave, ne gjithmonë kemi qenë në nivel të detyrave, do të mbetemi të tillë pasi kryetarët gjithmonë kanë paraqitur dhe paraqesin unitetin politik dhe sjellja e kryetarëve ka qenë e do të jetë e tillë”, është shprehur Aliu, njofton Klankosova.tv.

Tutje, sa i përket çështjes së dërgesave të listave, Aliu tha se listat e pagave për muajin gusht i kanë dërguar më 10 gusht, ndërsa më 10 shtator ai tha se do t’i çojnë listat e pagave për muajin shtator.

“Koncentrimi i të gjithë neve më shumë se te këto masa, te kërkimi i fajtorit duhet të koncentrohet te qëllimi, ndalja e grevës. Ne i kemi dorëzuar listat dhe do t’i dorëzojmë sërish, por i dorëzojmë në afatet ligjore. Afati ligjor ka qenë 10 gushti tash do të jetë 10 shtatori dhe ne do t’i dorëzojmë listat”.

“Greva duhet të zhbllokohet me dialog, i cili po mungon. Prandaj, thirrja e kryetarëve të komunave në mbledhjen e para dy ditëve ka qenë dialogu. Sot ishte edhe thirrje e presidentes dhe të gjithë duhet ta kuptojmë këtë zë të arsyes”, është shprehur Aliu.

Të ngjashme