Përfundon takimi – s’ka marrëveshje Qeveri-SBAShK, greva vazhdon

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 10:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pa marrëveshje ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të BSKP-së, raporton Ekonomia Online.

Kryesuari i Këshillit Rrahman Jasharaj tha se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe Qeverisë.

“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Takimi ishte goxha i gjatë”.

“Ne si Këshill Grevist i prezantuam kërkesat tona legjitime dhe që mediat i dinë. Ata na treguan për angazhimin që i kanë bërë dhe mund të them se takimi ishte përmbajtjesor por për momentin nuk ka ndryshime. Ne qëndrojmë me kërkesat tona”.

“Nuk ka arritje. Ne do t’i themi jo pakos së qeverisë. Asgjë e re nuk ndodhi. E lutëm shumë që ata të bëjnë një veprim konkret pasi ka buxhet dhe mundësi që të ofrojnë një mundësi e re për ta kapërcyer këtë situatë”.

Sipas tij, lajmi më i mirë është se dialogu ka filluar mes sindikatave dhe Qeverisë.

Ai shtoi se temë e nxehtë e diskutimit me Qeverinë ishte ndarja e 50 eurove, e paralajmëruar nga Qeveria.

“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja, ata e kanë dhënë pa diskutim me ne, ne insistuam që kjo shumë s’është pranuar, të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë kompromis, Qeveria mbeti te shuma e proklamuar. Filloi dialogu, uroj që Kurti të mos i mbyllë dyert. Duke uruar që gjendja të stabilizohet. Lajmi më i mirë është që dialogu filloi. Uroj që dialogu të vazhdojë, aktualisht nuk ka asgjë. Në takim nuk morëm asgjë pozitive, anëtarësia prapë do t’i thotë jo pakos”, shtoi ai.

Kreu i SBASHK-ut tha se dialogu mund të vazhdojë, por pa ndryshuar qasja e Qeverisë, nuk do të ketë rezultate.

“Asgjë e re nuk ndodhi. Anëtarësia do t’i thotë jo dhe kjo do të thotë se jemi në situatë të tillë. E lutëm kryeministrin, Nagavcin e Muratin, që të angazhohen të ofrojnë një lëvizje të re, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë. Lëvizje nuk pati”, tha ai.

Jasharaj theksoi para mediave se Qeveria u arsyetua se dimri do të jetë i vështirë.

“Arsyetimi i tyre ishte se kanë dhënë pakon, se dimri do të jetë i vështirë. Kjo ndihmesë nuk po shtohet, ka mbetur ajo pako që grevistët nuk e kanë pranuar. Kemi ardhur të bisedojmë nëse janë në gjendje të lëvizin nga pakoja”, tha ai.

Nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj.

Të ngjashme