Përgatitjet e LDK-së për koalicion me AAK-në e Nismën, Abazi: Po e ktheni PAN-in me vota të Vjosa Osmanit

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi ka reaguar pas lajmit se LDK’ja është duke bërë përgatitjet e para për koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe pakicat.

Abazi ka shkruar në Facebook se LDK është duke kërkuar koalicion me PAN’in, mirëpo, jo përmes Vjosa Osmanit që e kishin në zgjedhjet e fundit si kandidate për kryeministre.

Ai thotë se kjo që po ndodhë është tradhti e votës e se shton se kreu i LDK’së, Isa Mustafa dhe klani i tij e kanë interes vetëm që të mbrojnë sistemin e PAN’it.

“ Kjo është tradhti e votës, por mbi të gjitha është vërtetim, se Mustafa dhe klani i tij kanë vetëm një interes; atë për të mbrojtur sistemin e PAN-it, ku kanë edhe njerëzit e tyre duke përfituar nga keqbërja dhe manipulimi e kontratat nga buxheti i shtetit dhe njerëzit e të njohur të punsuar. Mustafa dhe klani i tij i ndërtuar me paratë e 3%-shit (UFORK) kanë krijuar sistemin që ka marrë LDK- n si kalanë nga brenda, duke tradhtuar tinëzisht edhe Fatmir Sejdiun, por edhe të gjithë ata që kanë punuar e vepruar me shumë se një dekadë për shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Klani Mustafa-Bukoshi e kanë kapur LDK-në dhe e kanë bërë patericë të Thaçit për më shumë se një dekadë tanimë”, ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri në detyrë thotë se shteti dhe pavarësia e Kosovës janë në rrezik, e se të dyja do të shpëtojnë nëse përmbysja e demokracisë dhe votës qytetare lejohet sot.

“E gjithë bota është duke parë sesi po te tentohet të shembet demokracia në Kosovë dhe po kërkojnë nga të gjithë që të veprojmë me maturi e përgjegjësi. Këto të dyja i mungojnë Thaçit dhe duke qenë në shërbim të tij, edhe Mustafës dhe klanit të tij. Kosova nuk i ka borxh as Thaçit e as Mustafës, dhe nuk mund të jetë peng as i kalkulimeve të tyre e as klaneve që kanë ndrydhur vendin, lirinë e po rrezikojnë edhe pavarësinë e shtetit tonë.

Nuk mund të lejojmë që Mustafa, i cili i shkaktoi kaq shumë dëm Kosovës duke e bërë Thaçin president dhe shunë shërbime tjera, përderisa mbi supe mban barrën e sabotimit të Rugovës dhe punës së tij, duke i ndaluar të gjitha pagesat dhe përkrahjen pikërisht në momentin më të rëndësishëm të historise.

Nëse ju me votën tuaj e pengoni Mustafën sot dhe e ktheni LDK-në në vizionin e Rugovës dhe të shtetbërjes, ju do të jeni në shërbim të Kosovës, shqiptarëve dhe lirisë e pavarësisë sonë. E ardhmja është pa Thaçin dhe pa Mustafën në politikën e Kosovës”, ka shkruar ai

Të ngjashme