Përjashtimin nga ENQA, ish-drejtori: Është e njëjtë si të largoheshim nga UEFA

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kosovare për Akreditim (AKA) është përjashtuar nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).  E, për tu bërë përsëri pjesë e këtij asociacioni, nuk është i mundshëm riaplikimi deri pas dy vitesh. Vlerësohet se më së shumti nga përjashtimi e pësojnë studentët, ndërsa njohës të arsimit tregojnë sa e rëndësishme ishte anëtarësia në ENQA.

Përjashtimi nga ENQA, sipas ish-drejtorit të AKA-së,  Blerim Rexhës, është si pasojë e ndërhyrjeve politike.

E ata që më së shumti do të kenë pasoja, janë studentët.

Agjencia Kosovare për Akreditim nuk do të ketë mundësi riaplikimi deri pas dy vitesh

Pak shtete joanëtare të Bashkimit Evropian janë pjesë e Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Këtë të drejtë kohë më parë e  kishte fituar edhe Kosova.

Por në mbledhjen e 19 shtatorit, ky asociacion vendosi që ta përjashtojë Agjencinë Kosovare për Akreditim nga anëtarësia.

Një ndër kërkesat kryesore të kësaj organizate ishte pavarësia, gjë e cila me gjasë ishte e pamundur.

Kjo pasi që në shtator në vitit 2017, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradianj,  ishte shkarkuar bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Sipas Rexhës, i cili asokohe ishte në krye të Bordit të Agjencisë, përjashtimi nga ENQA ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve politike.

“Është një konkluzion logjik i atyre që kanë ndodhë qe dy vite duke filluar me ndërhyrjen e atëhershme politike  me ndërhyrjen në pavarësinë e agjencisë”, ka thënë Rexha.

Rexha tregon për pasojat e këtij vendimi.

“Largimi është e ngjashme sikur me u largu Kosova prej UEFA’s…”, ka shtuar ai.

Edhe njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se pikënisja e problemeve ishte përjashtimi i bordit në vitin 2017.

“Bordi i ri ka filluar punën në 2018, domethënë kemi pasur një vakuum të madh dhe gjatë vitit 2018 ka qenë jofunksional dhe nuk ka mundur ta bëjë asnjë proces akreditimi”, ka thënë Pupovci.

Ndërkohë tregon për vështirësitë që do t’i kenë studentët kosovarë tash e tutje.

“Shkakton vështirësi të diplomuarve që dëshirojnë ta vazhdojnë karrierën profesionale sepse diplomat e tyre do të kalojnë nëpër një proces tjetër verifikimi”, ka shtuar ai.

E  afati më i afërt kur mund të aplikojë Kosova për rianëtarësim është pas dy vitesh.

Për krejt këtë ngjarje, Ministria e Arsimit është informuar vetëm përmes mediave, derisa kanë bërë të ditur se kanë kërkuar informacione nga AKA mbi raportin e krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s.

Ndërsa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë theksuar se vendimi i tillë është pasojë e politikave jo të shëndosha.

Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur.

E nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka reaguar duke thënë se një vendim i tillë është brengosesh por jo edhe befasues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme