Përkujtohen 21 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

Prishtinë | 26 Kor 2022 | 11:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e shënimit të ditës memoriale për zyrtarët policorë të rënë në kryerje të detyrës, të martën është organizuar ceremonia memoriale në nderim të tyre. Të pranishëm ishin personalitete të larta shtetërore, korri diplomatik, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të policëve të rënë në kryerje të detyrës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke për kujtuar rënien e 21 policëve gjatë kryerjes së detyrës, tha se ata ranë duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetitn territorial të vendit.

Konjufca tha se Policia e Kosovës falë punës së saj është bërë institucioni më të besueshëm të popullit tonë.

“26 korriku është data e policëve heronj të vendit tonë. të cilët nuk kursyen as vetën në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial. E gjithë kjo sakrificë u bë për mbrojtje të vendit tonë. Sot po shënojmë 22 vite të këtij institucioni bosht të shtetit tonë. Me punën e tyre të palodhshme, Policia e Kosovës është shndërruar në institucionin më të besueshëm të popullit tonë. 21 policët e rënë në sundim të ligjit e të paqes në vendin tonë, sot këtu i kujtojmë 21 heronjtë tanë. Në këtë ditë e shënojmë edhe rënien e heroit tonë Enver Zymberit, i cili sa ishte në vendosje të rendit dha jetën në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë”, tha Konjufca.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se polici ka rol integral në shoqëri, e jo rol përfaqësues të dhunës shtetërore, ndërsa shtoi se organet e rendit duhet të veprojnë “shpejt e drejt në zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe të gjithë të tjerëve”.

“Zyrtarët tanë policorë do të ishin me të suksesshëm sikur të mos përballeshin me faktin se ligji ka çaluar kundër strukturave kriminale. Ka çaluar ndaj strukturave paralele, dhe veprimtaria e sigurimit të rendit shtetëror është ndeshur me struktura që nuk e duan ekzistencën si shtet e shoqëri”, tha Sveçla.

Ai potencoi se vizion i Policisë së Kosovës është mbrojtja e shtetit, ndërsa tha se profesionalizmi i policisë është i lidhur me shoqërinë.

“Krimi nuk ka uniformë, është fenomen që dëmton ekonominë e tregtinë, dhe pengon zhvillimin e vendit. Krimi është fenomen që vepron kundër sovranitetit dhe tenton të veprojë si alternativë ndaj shtetit. Përballë krimit pa uniformë, polici ka uniformë, atë të shtetit”, deklaroi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se Qeveria do ta sigurojë veprimtarinë e Policisë, duke thënë se puna e zyrtarit policor nuk do të mund të shpërblehet kurrë.

“Ta dini se bijtë dhe bijat tuaja do të jenë udhërrëfyesit tanë. Do të mbajmë përjetësisht përkujtimin për ta”, u tha Sveçla familjarëve të policëve të rënë në detyrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi se vepra e 21 zyrtarëve policorë të rënë, do të respektohet gjithmonë, në piedestalin më të lartë.

Ai iu bëri thirrje policëve që punën ta kryejnë me profesionalizëm.

“Ne jemi të vetëdijshëm që puna policore nuk është e zakonshme. Përballja me krimin është përballja me njerëzit që i keqtrajtojnë viktimat”, tha ai.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në krye të detyrës kanë rënë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanoviq, Musin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaqi.

Për nder të Ditës së policëve, pati parakalim të trupave të Policisë së Kosovës.

Të ngjashme