Përparim Rama: Kur m’u bë ftesa për Prishtinën s’e mora seriozisht

Prishtinë | 01 Qer 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nuk është anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por se vendosi që të garojë për kryetar të Prishtinës me Lidhjen Demokratike pasi beson fuqishëm në këtë subjekt si dhe në vizionin dhe idetë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nuk jam i anëtarësuar në LDK, jam apolitik, do garoj si kandidat i LDK-së, besoj fuqishëm në Lumir Abdixhikun, i cili po bën reforma të mëdha brenda strukturave të LDK-së, e shoh si njeri vizionar, si njeri me ide përparimtare, vetëm se më ka ftuar mua që jam apartiak për të qenë pjesë e kësaj gare, tregon që ai mundohet për të mirën e Prishtinës, për interesin e Kosovës dhe jo për interesat e ngushta partiake, është vizionar dhe sheh përtej partisë”, është shprehur Rama, njofton Klan Kosova.

Tutje Rama tha se negociatat me LDK-në për të qenë kandidati i këtij subjekti për kryetar të Prishtinës, i ka filluar një muaj më parë.

“Ftesa m’u bë para një muaji dhe fillimisht nuk e mora seriozisht, sepse nuk kam qenë i përgatitur ose nuk kam menduar që t’i hy kësaj çështje. Më ftoi një mik i përbashkët dhe si shenj respekti ndaj Lumirit dhe ndaj një lideri të ri të një partie historike, vendosa të vij dhe të kem bisedë më të përafërt, të shohim ku qëndrojmë në aspektin e energjisë, ku qëndrojmë në vizionin tonë. Kam ardhur këtu për Prishtinën, për vendlindjen time, për njerëzit e Prishtinës”.

“Jam i lidhur shpirtërisht me këtë vend dhe në fëmijët e të gjithëve i shoh fëmijët e mi, dhe dua që ky vend të shndërrohet në vend mirësie për të gjithë. Kështu që fillimisht kjo ishte, të shohim a e kemi energjinë e njëjtë, a e kemi vizionin, dhe fokusi im është Prishtina, fokusi i tij është Prishtina dhe normalisht LDK-ja. Shpresoj që platforma të cilën do ta zhvillojmë të ngrihet si rezultat i bashkëbisedimeve me të gjitha pjesët e Prishtinës, si ato të pjesës së brendshme të qytetit bashkë me të gjitha fshatrat e Prishtinës”.

Rama tha se ajri i pastër, hapësirat publike, trafiku e parkingjet, janë prioritet e planit të tij për kryeqytetin.

“Mirëqenia e njeriut është me rëndësi madhore, mirëqenia e fëmijëve, e nënave, e pleqve e të rinjve është me rëndësi madhore, duhet t’i dimë nevojat e këtyre dimensioneve të ndryshme të qytetarëve të Prishtinës, ajri i pastër, hapësirat publike, rregullimi i trafikut, parkingjet, prioriteti për këmbësorë, hapja e hapësirave publike, këto mund të duken shumë dhe të pamundura që të përmirësohen brenda një mandati katër vjeçar, mirëpo të gjitha janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”.

Të ngjashme