Përpjekje për shfajësim apo me të vërtetë deputetët nuk ditën çka votuan, flasin analistët

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 16:12 | Nga

Skemë mashtrimi e lojë të pushtetit i ka cilësuar tentimet për shfuqizimin e Speciales, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Njëjtë edhe Mimoza Kusari-Lila e Alternativës, mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, e quajti veprim tinëzar e të inskenuar, e madje sipas saj, thirrja e seancës së jashtëzakonshme ishte cilësuar sikur një “çështje jetë a vdekje”, transmeton Koha.net.

Të të njëjtit mendim tani po dalin edhe shumë deputetë të pozitës, nga ata 43 që dje nënshkruan për plotësim-ndryshimin e Ligjit që shfuqizon Gjykatën Speciale. Ata tani po thonë se nuk e kanë ditur se çka po nënshkruajnë në të vërtetë, duke deklaruar se u është thënë se po nënshkruajnë diçka “në të mirë të Kosovës”, ndërsa tani po thonë se ndihen të mashtruar nga kolegët e tyre.

Albert Krasniqi nga KDI, tha për Koha.net se kërkesa e nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme me qëllim të shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, është mjaft e qartë dhe nuk mund të pretendohet se janë mashtruar deputetët.

Sipas tij, edhe në aferën “pronto” është dëgjuar nga të njëjtit individë të përdorin këtë lloj të arsyetimit për veprimet e tyre që kanë qenë në kundërshtim me ndërkombëtarët.

“Nëse mashtrimi vërtetë ka ndodhur për një çështje kaq të qartë, atëherë këta deputetë mund të bien pre edhe e mashtrimeve tjera. Andaj, do të ishte mirë që të njëjtit të japin dorëheqje nga postet e tyre me arsyetimin e paaftësisë për të ushtruar funksionin”, tha Krasniqi për Koha.net.

Përkundër kësaj, deklarimi se janë mashtruar, sipas tij, është vetëm përpjekje për arsyetim pasi kanë kuptuar për përmasat e reagimit publik dhe të atij ndërkombëtar.

“Nuk mund të përjashtohet as fakti se disa prej tyre mund të kenë qenë të kërcënuar apo të shantazhuar nga grupet që dëshirojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se liderët e koalicionit qeverisës, përkundër ndasive të mëdha që kanë pasur mes vete nga e kaluara, janë bashkuar për një interes të përbashkët, që është amortizimi i dëmeve që mund të ju shkaktojë kjo Gjykatë, apo në rastin më të mirë për ta, ta shpërbëjnë atë.

“Kjo mund të kuptohet edhe nga format që i kanë përdorur për të ardhur në pushtet, të gjitha kompromiset që i kanë bërë për partitë tjera politike më të vogla për të siguruar shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë, e deri te mënyra e qeverisjes e cila po karakterizohet me shpenzime të shfrenuara të parasë publike dhe pranimi haptazi i veprimeve abuzive pa asnjë përgjegjësi”, tha Krasniqi.

Edhe Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, këto deklarime të deputetëve të cilët thonë se nuk e kanë ditur çka po votojnë, i quan dëshmi për mjerimin e tyre politik.

për Koha.net tha se nëse e kanë ditur çfarë po bëjnë dhe tash mendojnë se kësisoj mund të shfajësohen publikisht, atëherë janë skajshmërisht naivë, sepse me këtë tentim-mashtrim e ofendojnë inteligjencën e qytetarëve.

Mirëpo, ka thënë se në qoftë se vërtetë kanë pranuar të nënshkruhen në një dokument kaq të rëndësishëm pa i pasur informatat bazike, ky është fakt madhor për papërgjegjësinë e jashtëzakonshme, e siç tha ai, edhe “pjesëmarrjen mekanike, robotike, të tyre në politikë”.

Këto veprime të deputetëve, Muhaxhiri tha se tregojnë se sa politikanët e mendojnë të mirën për Kosovën.

“Realiteti kosovar është dëshmia më e mirë se sa mendojnë politikanët ‘për të mirën e Kosovës’. Varfëria, papunësia, korrupsioni, problemet elementare pothuajse në të gjitha fushat e jetës, janë çështje të cilat këta politikanë nuk kanë ide si t’i adresojnë. Nxitja e një konflikti të hapur me aleatët tanë globalë do ta çimentojë pashpresën”, tha ai për Koha.net.

Ai ka thënë se defektet strukturore në funksionimin e partive kanë bërë që brenda tyre meritokracia të mos ketë peshë të rëndësishme.

“Kjo është arsyeja që një përqindje e konsiderueshme e përfaqësuesve partiakë në Kuvend, por edhe në Qeveri, me asnjë kriter të politikës normale të mos e meritojnë të jenë aty. Ngjarjet e së premtes mbrëma do ta rrënojnë edhe më shumë besimin – edhe ashtu të vogël – të qytetarëve ndaj spektrit politik, duke e shndërruar atë në një shfaqje groteske”, tha ai.

I pyetur se nëse këto janë shenja që koalicioni qeverisës është duke funksionuar pa besim të ndërsjellë, Muhaxhiri tha se probleme të tilla nga ky koalicion kanë qenë të pritshme.

“Koalicioni qeverisës është krijuar me improvizime, pa bazë konceptuale dhe me asnjë harmonizim për mënyrën e zgjidhjes së problemeve të mëdha. Prandaj, ka qenë e pritshme që edhe puna e tij të përshkohej me këtë qasje, gjë e cila po ndodh si me Demarkacionin, ashtu edhe me rebelimin e vonuar ndaj Gjykatës Speciale”, përfundoi Muhaxhiri në përgjigjet për Koha.net.

Me kërkesë të 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbrëmë u tentua që të thirrej një seancë e jashtëzakonshme në të cilën synohej të rrënohej themelimi i Gjykatës Speciale. Mirëpo, pas dy tentimeve të Kryesisë së Kuvendit, në mungesë kuorumi, Kuvendi dështoi të mbante seancën e paralajmëruar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme