Përplasen deputetja e ministrja, Deliu-Kodra: Kunatin e ke të akuzuar për terrorizëm

Prishtinë | 19 Nën 2021 | 13:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra është përplasur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga distanca në seancën e Kuvendit.

Deputetja Deliu-Kodra ka kërkuar fjalën sërish nga kryetari Glauk Konjufca, pasi ministrja Haxhiu ia ka përmendur emrin në fjalimin e saj, por Konjufca ka refuzuar, raporton EO.

“Kryetar ma jep fjalën, emrin ma ka përmend”, ka thënë Deliu.

Por Konjufca ka refuzuar t’ia jap fjalën.

“Blerta, mos e tepro allahile, mos të lutem”, tha ai.

Nga distanca, ministrja Haxhiu i ka reaguar Deliut e kjo e fundit i ka kërkuar të mos i flas, por të dalë jashtë.

“Mos më fol, hiç mos fol dil jashtë”, i ka thënë Deliu ministres Haxhiu.

Pas kësaj, Haxhiu i ka kërkuar deputetes së PDK-së që të dalë në konferencë për medie nëse do të flasë.

“Dil në konferencë për media arsyetohu”, ka thënë Haxhiu.

Deliu-Kodra ia përmendi asaj kunatin e akuzuar për terrorizëm në Maqedoni.

‘’Kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni. Si e takoni njëministër të Drejtësisë të Gjermanisë e ndonjë vendi tjetër, kur në CV ju shkruan për kunatin. Sa për dhëndrin as nuk është arrestuar dhe është shpifje që e keni thënë dhe do të mbani përgjegjësi”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Haxhiu. Ajo ka sqaruar se rasti për të cilin po flet Kodra-Deliu është rasti i Kumanovës, duke shtuar se kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në sallë.

Tutje, Haxhiu ka thënë se ndoshta deputetja e PDK-së e di si ka ndodhur ky rast dhe është mirë të tregojë, duke thënë se zbulimi i këtij rasti është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

“Znj.Deliu, kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në kuvend e jo të ik nga Kuvendi. Kjo nuk është formë e mirë e diskutimeve, sepse në momentin kur ka akuza të tilla ish dashtë me qëndru dhe jo me ik prej Kuvendi. Për ata që se dijnë, është fjala për rastin e Kumanovës. Le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë, sepse është një enigmë e madhe, se si ka ndodh ai rast. Ndoshta Blerta Deliu e din”.

“Le të tregojë si ka ndodh rasti i Kumanovës. Pra, është mirë me e tregu sepse është shumë e rëndësishme edhe për Republikën e Kosovës si shtet, që shtetasit tanë që i kemi në Maqedoni me ditë çka ka ndodhë me ta, kush ka qenë prapa tyre, pra pres që të kemi informacione dhe nëse keni urdhëro edhe të diskutojmë për këto”, ka deklaruar Haxhiu.

Të ngjashme