Përplasja Hashim Thaçi-Peter Beyer, reagojnë partitë politike

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Gjermania e kancelares Angela Merkel vazhdon të jetë kategorike kundër idesë së Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,

Një gjë të tillë Thaçit ia ka kumtuar edhe sot deputeti gjerman nga radhët e partisë së Merkelit, Peter Beyer.

“Ndryshimi i territoreve, apo shkëmbimi është ide me rrezik të lartë” ka thënë Beyer gjatë takimit me Thaçin.

Deputeti gjerman gjithashtu i ka thënë presidentit të vendit se Kuvendi i Kosovës është institucioni kryesor që duhet te vendos për çështje të tilla.

E gjithë këtë debat Thaçi u mundua ta mbante të fshehtë, por gjithçka e zbuloi vetë deputeti gjerman në një bashkëbisedim me gazetarët.

Ai ka treguar edhe për përgjigjen e ashpër që kishte marrë nga Thaçi.

“Unë jam president i këtij vendi, unë vendosi” ishte kundërpërgjigja e presidentit.

Lidhur me këtë zhvillim, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se qeveria e Gjermanisë po lufton për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës më shumë se presidenti Thaçi.

“Qëndrimi i Gjermanisë është më se i qartë dhe konvergjon në idenë se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. Paradoksalisht, qeveria gjermane del të jetë mbrojtëse  e zëshme e territorit të Kosovës se sa vet presidentin ynë”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas deputetit të LDK-së SHBA-ja po kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të përfshihet ne dialog dhe të marrë vendimet, për arsye se Thaçin nuk e shohin si përfaqësues që unifikon qëndrimin e Republikës së Kosovës.

“Është natyrisht lajm i mirë se për fuqitë perëndimore, presidenti nuk shihet si përfaqësues politik i zërit kosovar. Parlamenti për ta dhe për secilin lexues korrekt të rendit tonë kushtetues është adresa e vetme përfaqësuese. Ky është një pozicion i ri, gjithsesi i pritshëm dhe i rëndësishëm për fatin e vendit tonë. Me një qëndrim të tille akrobacionet politike rreth sovranitetit tonë bëhen më pak relevante, ndërsa mendimi i Parlamentit dhe forcave politike më shumë i rëndësishëm” ka përfunduar Abdixhiku.

Edhe deputeti i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, Muharrem Nitaj, thotë se për çfarëdo që ka të bëjë me dialogun me Serbinë, vendos Kuvendi i Republikës së Kosovë.

“Nuk e di çfarë kanë biseduar Thaçi dhe deputeti Beyer, sepse sapo kam dalë nga një takim, por ajo që mund të them unë si deputet është se Kuvendi i Kosovës vendos për dialogun, vendos për përmbajtjen, vendos për platformën, për ekipin e negociatave dhe në fund e për çfarëdo marrëveshje me Serbinë”, ka thënë Nitaj në një prononcim për Gazetën Express.

Sipas deputetit të AAK-së, një gjë e tillë parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe s’ka si të ndodhë ndryshe.

I pyetur nga Express se a duhet pasur më shumë kujdes kur bëhet fjalë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se

“Kur është interesi kombëtar dhe interesi shtetëror, kujdesi nuk duhet të kalojë në servilizëm. Ne si Kosovë kemi raporte me SHBA-të dhe aty është bë koordinimi për shumë çështje” ka thënë ai.

Para deputetit, Peter Beyer, qëndrimin e Gjermanisë kundër idesë së Thaçit për shkëmbim të territoreve dhe lëvizje të kufijve e ka përsëritur edhe diplomatja gjermane, Sabine Stohr, shefe e divizionit për Ballkanin Perëndimor ne Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme