Përplasje mes partnerëve të koalicionit, Haradinaj me akuza ndaj Qeverisë

Prishtinë | 24 Tet 2020 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Kreu i njërit prej partnerëve të koalicionit, AAK-së ka reaguar ndaj shkarkimeve të bëra nga Qeveria e kryesuar nga Avdullah Hoti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qeverinë, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, se vendimet janë duke i marrë në interes të partive.

“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lidhur me përplasjet mes parterëve të koalicionit, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim prej tyre por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm gjatë së shtunës.

Megjithëkëtë një burim në partinë e Haradinajt, ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, lidhur me shkarkimet janë duke u marrë pa ndonjë koordinim me AAK-në, gjë të cilën edhe janë duke e kundërshtuar.

Qeveria Hoti ka shkarkuar drejtorin e Policisë, të Doganës, dhe të ATK-së. Derisa ka shuar edhe Task-Forcën kundër korrupsionit, vendim për të cilin Haradinaj e ka kritikuar Qeverinë.

Të ngjashme