Petersen: Kosova ta ndryshojë klasën politike

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 08:55 | Nga

Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” thotë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit votuan për ndryshime. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj. Ai megjithatë është i lumtur që Kosova tashmë është e pavarur, përderisa shprehet i zhgënjyer me mosluftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Soren Jessen-Petersen ka qenë kryeadministrator i Kosovës në kohën kur Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të parë kryeministër i vendit në një koalicion me partinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Trembëdhjetë vjet pas Haradinaj është përsëri emri më i lakuar për shef të Qeverisë, përderisa ish-shefi i UNMIK-ut nuk dëshiron tash të flasë shumë për figurën e Haradinajt, por thotë se ka ardhur koha që Kosova ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj.

Këto komente Jessen-Petersen i ka bërë gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, duke shtuar se është për keqardhje dhe se ka mbetur shumë i zhgënjyer që edhe 10 vjetëve pas pavarësisë ende flitet për problemet e njëjta: Korrupsionin, sundimin e ligjit, papunësinë, etj.
Duke folur për Demarkacionin dhe Asociacionin, diplomati danez shprehet se Kosova duhet ta dëgjojë SHBA-në për Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa për Asociacionin thotë se e ka sqaruar shumë mirë ish-presidenti Marti Ahtisari në Planin e tij për Kosovën.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ai ka folur edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, ku ka pranuar që ngritja e aktakuzave nga ana e saj mund të shkaktojnë tensione në vend, por vendimet e Gjykatës duhet të pranohen nga një shtet demokratik.

Petersen, që aktualisht është profesor në universitetin e Bolonjës “John Hopkins”, thotë se Kosova tani duhet ta formojë një Qeveri stabile, e cila më në fund do të punojë për interesin e qytetarëve të saj dhe jo për interesin personal dhe partiak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme