Petkoviq: Aksioni në Shtërpcë, përpjekje për ta frikësuar popullin serb

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka nxituar të reagojë pas aksionit të Policisë së Kosovës në Shtërpcë, ku u arrestuan dhjetë persona, të cilët dyshohen për “Marrje të ryshfetit”, “Dhënie të ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, duke përfshirë ish-kryetarin e kësaj komune.

Petkoviqi e ka quajtur aksionin e sotëm të Policisë “përpjekje tjetër brutale të Albin Kurtit për ta frikësuar popullin serb”, duke dhënë, si gjithmonë, disa hipoteza prej hiçit.

“Nën maskën dhe nën pretekstin e një lloj lufte kundër korrupsionit, Albin Kurti po dërgon sërish forcat speciale të Rossu-së me mjete të plota luftarake në mjediset serbe, me qëllimin e vetëm për t’i kriminalizuar serbët që mbetën mburojë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Në radhët e veta, kur të gjithë faktorët ndërkombëtarë e dinë se të gjitha flukset e parave të pista kalojnë nëpër mjedisin shqiptar”, ka thënë Petkoviqi.

Ai e lidhi aksionin e Policisë me vizitën e shefit të tij, presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Shqipëri, në kuadër të takimeve me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeministrin në detyrë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për “Ballkanin e Hapur”.

“Ky veprim nuk ndodh rastësisht sot, kur presidenti Aleksandar Vuçiq supozohet të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme në kuadër të nismës ‘Ballkani i hapur’ si një hap drejt një të ardhmeje më të mirë dhe pa dyshim është i koordinuar me tërbimin e mbrëmshëm ekstremist dhe djegien e flamujve serbë në Tiranë”, tha Petkoviqi.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës zhvilluan sot një aksion në Shtërpcë, ku u arrestuan dhjetë persona, të cilët dyshohen për “Marrje ryshfeti”, “Dhënie të ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Aksioni, i cili është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ka vënën në pranga edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës.

Përveç tij, janë arrestuar edhe drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave, të cilët dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

“Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të prokurorit të Shtetit janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Marrja e ryshfetit’, ‘Dhënia e ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të ngjashme