Petkoviq i reagon presidentes Osmani: Prishtina s’ka ndërmend të dialogojë me ndershmëri

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Prishtina nuk ka ndërmend të dialogojë me ndershmëri, kjo sipas tij meqë kanë përçuar mesazhe se Beogradi po bllokon negociatat.

”Akuzat e tyre të pabaza se Beogradi zyrtar po “bllokon dialogun” dhe se ekziston një “listë e gjatë” e marrëveshjeve që Beogradi nuk i ka mbajtur, siç pretendon Vjosa Osmani, nuk mund të interpretohen ndryshe”, tha Petkoviq në një deklaratë me shkrim.

Sipas tij ”realiteti ishte krejtësisht ndryshe” dhe se ”kanë kaluar 3206 ditë që kur Prishtina refuzon të formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Prishtina gjithashtu ka refuzuar prej kohësh të lejojë kërkime në nëntë vende në Kosovë, ku Beogradi ka informacione të besueshme për eshtrat e njerëzve të zhdukur gjatë luftës”.

”Kanë kaluar nëntë vjet që kur Prishtina refuzon të zbatojë marrëveshjet në fushën e energjisë, por gjeneron krizë energjetike”, deklaroi Petkoviq në reagimin e tij.

”Për të qenë absolutisht i qartë, Beogradi është vendosur dhe pa mëdyshje i përkushtuar ndaj dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve, por dialogu nuk mund të trajtohet si një monolog nga një palë shantazhuese në tryezën e bisedimeve, por si një proces i kërkimit të përbashkët për një zgjidhje kompromisi”, shtoi ai.

Ai tha se Prishtina, në vend që të përdorë mashtrime, është më mirë të kthehet në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe të mos refuzojë bisedimet me ekipin negociator serb, siç ka bërë gjatë gjashtë muajve të fundit.

Të ngjashme