Petkoviq: Në dialogun e Brukselit ngritëm çështjen e Dragica Gashiqit

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në kuadër të dialogut me delegacionin e Kosovës të zhvilluar të mërkurën (7 korrik) në Bruksel e ka ngritur edhe çështjen e Dragica Gashiqit, serbes nga Gjakova, e cila u kthye për të jetuar në këtë qytet, mirëpo u përball me një sërë kundërshtimesh nga komuniteti shqiptar si dhe një padie të ushtruar ndaj saj nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti.

“Ngritëm çështjen e Dragica Gashiqit, gruas në Gjakovë ndaj të cilës është ngritur padi për ta dëbuar nga banesa e saj në Gjakovë. Pse? Vetëm pse është gruaja e parë që është kthyer në Gjakovë. I thash zotit Bislimi se a dëshironi një Gjakovë njëetnike si shumë qytete tjera që nuk kanë më serbë. Ato janë qytete njëentike, ndërsa nuk dëshironi të themeloni Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilën ju thoni se është koncept njëetnik”, tha Petroviq në përfundim të bisedimeve mes dyja delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Petroviq tha se nuk ka marrë përgjigje për asnjë nga çështjet e ngritura. Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq.

Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhet në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.

Dragica Gashiq ka lëshuar banesën e saj në Gjakovë më 30 qershor, sepse, siç thekson ajo, nuk ndihet e sigurt. Ajo u përpoq të ndryshonte derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësonte atë me një të blinduar, por policia nuk e lejoi ta bënte këtë, duke shpjeguar se ajo duhet të merrte një leje komunale për diçka të tillë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Gashiq shprehet se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.

Por, ajo thotë se për të është i rëndë fakti që është e padëshirueshme në Gjakovë dhe që, siç thotë ajo, bashkëqytetarët e saj “e sulmojnë” gati se çdo ditë.

“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, ka thënë Gashiq.

Dragica Gashiq gjatë një takimi me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Dragica Gashiq sqaron se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.

Ajo shton që nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.

Në një bisedë me REL-in më 6 korrik, ajo tha se tash po qëndronte te motra e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës.

Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova kishte deklaruar për REL-in se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka shprehur mendimin se secili i zhvendosur e gëzon të drejtën për t’u kthyer në pronën e vet dhe në vendin ku ka jetuar më parë, në rast se për këtë shpreh dëshirën.

“Kjo nuk mund të kushtëzohet me asgjë tjetër. Unë plotësisht i kuptoj familjarët e viktimave në Gjakovë dhe e kuptoj që në Gjakovë ka një numër jashtëzakonisht të madh të vrarësh dhe të zhdukurish dhe që familjet e tyre deri më tash nuk kanë parë drejtësi. Por, megjithatë, nuk duhet të kushtëzohet kthimi i personave në pronat e veta, në banesat e veta. Në këtë kontekst edhe zonja Gashiq është kthyer në banesën e vet dhe mendoj që institucionet e sigurisë, në rend të parë, asaj duhet t’i ofrojnë siguri dhe të sigurohen që askush nuk do ta bezdisë”, ka thënë Blakaj.

Të ngjashme