Petkoviq: Nenad Rashiqi është “Kali i Trojës” i Albin Kurtit

Prishtinë | 27 Shk 2021 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se politikani opozitar serb, Nenad Rashiq, është kali i Trojës së Albin Kurtit.

Deklarata e tij erdhi pasi Rashiqi deklaroi në një intervistë për Ekonomia Online se Kurti duhet të dialogojë fillimisht me serbët lokalë të Kosovës për zgjidhjen e mundshme me Serbinë.

“Nenad Rashiq është kali i Trojës i Albin Kurtit, sepse ashtu po përpiqet ai që të kufizojë Beogradin zyrtar nga dialogu me Prishtinën dhe të zhvillojnë bisedime ekskluzivisht me përfaqësues serbë të bindur”.

“Kjo është deklarata e fundit e rrezikshme e Rashiqit për mediat e Prishtinës se “Kurti mund të ketë sukses vetëm në dialog me serbët lokalë “, duke aluduar në veten e tij dhe Rada Trajkoviqin, të cilët janë të gatshëm të shesin besimin e tyre dhe për ta ndihmuar Kurtin të prishë dialogun”.

Po ashtu, Petkoviq në një deklaratë për shtypin serb, ka thënë se kjo përpjekje çon edhe në ndërmarrjen e hapave vendimtarë drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDS), Nenad Rashiq, ka deklaruar në një intervistë të publikuar sot në Ekonomia Online se ideja e kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, për dialog me serbët lokalë është e vetmja mundësi që mund të ketë sukses.

“Unë kam përkrahë shumë herë politikën që ndjek z. Kurti sepse ka do elemente që sipas meje janë në dobi të serbëve dhe të gjitha komuniteteve. Dhe ajo është dialogu që është përmendur shumë herë që duhet të niset prej poshtë, dhe unë e kuptoj dhe e di që kjo është mënyra e vetme e cila mund të ketë sukses. Po ashtu kemi simpati të madhe për shtyllën e parë të planifikimeve ose caqeve strategjike dhe ajo është zbatimi i ligjit”, ka thënë Rashiqi.

LEXO EDHE:

Të ngjashme