Petroviq: U sulmova nga Lista Serbe pasi udhëheq politikë të paqes, bashkëjetesës e tolerancës

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 12:23 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petroviq, ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht, sot në një restorant të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se është sulmuar nga Milan Kostiq, ish-këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, anëtar i Listës Serbe.

Në një konferencë për medie mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Petroviq ka thënë se sulmi vjen pas një fushate kundër tij nga Lista Serbe dhe kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq, pasi “qe 15 vjet udhëheq një politikë të paqes, bashkëjetesës e tolerancës”.

“Jam sulmuar fizikisht afër kësaj ndërtese pasi që edhe ju e dini që muajve të fundit e ditëve të fundit ndaj meje dhe partisë që udhëheq zhvillohet një fushatë. Arsyeja është sepse unë që 15 vite udhëheq një politikë të njohur deri më tani të paqes, bashkëjetesës e tolerancës. Javën e kaluar i jam drejtuar me shkrim z. Vuçiq, pasi disa herë më ka përmendur mua personalisht dhe punën time dhe ka pasur fjalë të pavërteta për punën time”, tha Petroviq.

Petroviq tha se muajve të fundit është një fushatë e egër kundër tij. Sipas tij, personi që e ka sulmuar atë është Milan Kostiq, ish-këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë.

“Personi që më sulmoi ishte këshilltar i Rikalos për një vit. Unë shkova në një restorant këtu afër për të pirë kafe me miqtë dhe aty ishte personi i quajtur Milan Kostiq, i cili për ne nga komuniteti serb është i njohur për të keq. Ai, në mënyrë të pandërprerë në çdo mënyrë ka diskredituar partinë që udhëheq duke shkruar tekste të rrejshme”.

“Kjo nuk i mjaftoi dhe i njëjti në mënyrë fizike ka kërcënuar njerëzit e veçanërisht ne zgjedhjet e fundit parlamentare, kur me një grup shokësh të tij çdo ditë ka shëtitur në territor të Graqanicës dhe i ka kërcënuar ata që kanë lidhje me Partinë e Pavarur Liberale Serbe. Dhe sulmi i sotëm kjo nuk është rastësi”, deklaroi Petroviq, i cili e udhëheq këtë parti.

Petroviqi ka treguar gjithë rrjedhojën se si ka ndodhur sulmi ndaj tij gjatë të mërkurës në mes të ditës në Prishtinë.

“Bashkë me një person tjetër që e njoh ai filloi të gjuaj fjalë jo të mira, më ofendoi e shau. Unë u afrova në tavolinën e tyre pyeta për çka është fjala. Ai kishte një shishe uji të xhamit. E mori atë shishe në dore dhe tha tani do të godas, do ta thyej kokën. Personi tjetër u ngrit që të qërojë hesapet me mua në mënyrë fizike dhe në atë rrëmujë më ra telefoni… Ai u nis të më sulmoj me shishe dhe më fyeu e më kërcënoi. E thirra policinë, e cila erdhi shpejt. Derisa e thirra policinë, ai e thirri dikë në telefon. Tha se thirri zv.ministrin e policisë, i cili është nga Lista Serbe. Më tha ‘tani do ta shohësh ti’”, tha ai.

Petroviq tha se në lidhje me sulmet e tij i ka shkruar edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai thotë se ka lutur, Vuçiqin që para çdo deklarate për të, t’i verifikojë ato fakte.

“Në letrën e hapur që i jam drejtuar atij dhe media i kam thënë se është sulm i hapur ndaj meje. Kemi përvojën e hidhur të vrasjes së Oliver Ivanoviq për çështje të njëjta dhe në letër e kam lutur kryetarin e Republikës së Serbisë që para se të dalë në çfarëdo deklarate për mua e punën time t’i verifikoj ato fakte sepse ai është thirrur në burime të shërbimeve të tyre që i kanë. Unë me atë shkresë i kam argumentuar dhe dëshmuar se të gjitha ato janë vetëm mashtrime, por mbetet shije e hidhur. Pas asaj letre, Vuçiqi më nuk është paraqitur, por ka pasur veprime nga Lista Serbe që janë udhëhequr nga drejtori i Zyrës Serbe, Gjuriq… Të gjitha janë të pavërteta”, shtoi Petroviq.

Pavarësisht këtyre kërcimeve e sulmeve, Petroviq thotë se nuk do të ndalet së punuari për interesat e serbëve në Kosovë.

“Unë jam përfaqësues i komunitetit serb në Kuvend dhe do i mbroj interesat e komunitet serb për një jetë me të mirë këtu. Nuk do lejoj dikë të më kërcënoj e të me frikësoj. Jua përcjellë një porosi: ‘E di që jeni të frikësuar për një kohë të gjatë dhe jeni të frikësuar nga ata që do të duhej të ju mbronin, por pa marrë parasysh brishtësinë tonë, ne do luftojmë për vlera e kualitete dhe se promovojnë çdo gjë që është e mirë që e stolis popullin serb”, tha Petroviq, në konferencën për medie.

Ai pohon se sulmuesi është anëtar i Listës Serbe. Petroviqi dyshon se hapi i radhës për sulm ndaj tij, mund të jetë edhe bomba.  

Të ngjashme