Picula: Kosova ka ende punë në rrugën drejt BE-së

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 17:05 | Nga

Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në plotësimin e kërkesave në kuadër të procesit të integrimit evropian, por kanë mbetur ende punë për t’u bërë, tha Tonino Picula pas takimit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili u mbajt në Strasbourg të Francës.

Kryesuesit e dy delegacioneve, Tonino Picula dhe Xhavit Haliti pas këtij takimi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Haliti ka bërë me dije se gjatë dy ditëve është diskutuar për çështje të ndryshme, duke filluar nga marrëdhëniet BE- Kosovë; liberalizimi i vizave, Asociacioni i komunave, demarkacioni me Malin e Zi, sundimi i ligjit; marrëdhëniet ndërfqinjësore, zhvillimi ekonomik i Kosovës, ambienti, arsimi si dhe çështje të tjera më rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Shpalosëm të arriturat, por edhe sfidat që mbesin para nesh. Theksuam edhe njëherë se institucionet e Kosovës janë dhe do të mbesin të përkushtuara në plotësimin e obligimeve që dalin nga MSA”, ka thënë Haliti.

Poashtu Haliti ka treguar se sikurse në takimin e parë të mbajtur në Prishtinë, edhe në këtë takim është miratuar një deklaratë e përbashkët me rekomandime të cilat u adresohen institucioneve të Kosovës dhe BE-së.

“Urojmë dhe shpresojmë që këto rekomandime do të zbatohen me seriozitet nga autoritetet kompetente, në mënyrë që Kosova të avancojë në procesin integrues në BE”, ka deklaruar Haliti.

Të ngjashme