Picula nga PE-ja përkrah liberalizimin për Kosovën, kritikon ngecjet në sundimin e ligjit

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 17:21 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian (PE), deklaroi se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen pa viza dhe tha se shpreson që vendet anëtare të BE-së ta miratojnë propozimin pro liberalizimit të vizave.

Picula e ka konsideruar si lajm të keq ngecjen në progresin e sundimit të ligjit, raporton Ekonomia Online.

“Nuk është lajm i mirë progresi në sundimin e ligjit. Sa i përket lirisë së shprehjes, nuk kemi ndryshim nga viti 2016, asnjë lloj progresi. Diçka më mirë është progresi në luftën kundër korrupsionit, por ka shumë ende për t’u bërë”.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë ta konfirmojë angazhimin për ta luftuar kriminalitetin dhe për të pasur një gjyqësor funksional, raporton EO.

Picula u ka bërë thirrje partive që të arrijnë konsensus për reformat e vendosura nga BE-ja. Ai ka kërkuar që të përshpejtohet miratimi i legjislacionit në Kuvend.

Picula shtoi se dallimet mes partive politike nuk duhet t’i rrezikojnë proceset në interes të qytetarëve.

“Konsensusi për reformat e BE-së është i nevojshëm për të pasur sukses. Miratimi i legjislacionit duhet të shpejtohet. Përmbushja e reformave kërkon veprim të qeverisë dhe institucioneve. Diferencat politike nuk duhet të minojnë përpjekjet për punët në interes të qytetarëve”.

Picula, gjatë deklarimit të tij të dytë para anëtarëve të komisionit, ka thënë se është ende shumë herët të komentohet korrigjimi i kufirit ose ndryshimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë verës është diskutuar korrigjimi i kufijve kryesorë dhe ndryshimi i kufijve dhe territoreve. Është ende shumë herët të komentohen këto mundësi. Ne duam një zgjidhje realiste, e cila nuk e kërcënon stabilitetin në rajon”.

Ai ka shprehur kritika edhe për vonesat në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton EO.

“Krijimi i bashkive me shumicë serbe që është përfunduar në 2015 dhe gjendja pezull është e plotë. Më 4 gusht nuk u respektua një afat tjetër për këtë. Kosovarët në qeveri e opozitë duhet të jenë bashkë për zgjidhje që forcojnë Kosovën”.

Të ngjashme