Pjesëmarrja në Samitin për Demokraci, Kosovës i kërkohet ta shfrytëzojë sa më mirë

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Kosova përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, në Samitin për Demokraci që nisi punimet të mërkurën ani pse ftesa për Osmanin u bë e ditur me vonesë krahas shteteve të tjera.

Ishin mediat e huaja ato që fillimisht sollën në opinion lajmin se Kosova nuk ishte pjesë e listës së 111 shteteve që do merrnin pjesë në takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë në Washington.

Por nuk vonoi edhe shumë, më 9 nëntor presidentja Osmani e kishte pranuar ftesën nga presidenti i SHBA-vë, Joe Biden.

Për opinionistin Bekim Çollkau ftesa e SHBA-së për Kosovën nuk është e vonuar aspak, sipas tij institucionet vendore duhet të jenë falënderuese që ajo arriti.

Ai për Klankosova.tv ka theksuar se SHBA-ja me vonesën e ftesës ka dërguar një mesazh tek liderët shtetëror.

“Ftesa e SHBA-së për Kosovën nuk është e vonuar aspak. Përkundrazi, institucionet e Kosovës duhet të jenë tepër mirënjohëse që ftesa më në fund arriti. Çështja që mbetet shqetësuese është se a e kanë kuptuar liderët tonë shtetëror mesazhin e qartë të dërguar nga SHBA-të, që fillimisht refuzuan ta ftojnë Kosovën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti i SHBA-së?”.

Çollaku ka thënë se marrëdhëniet shtetërore të Prishtinës me Washingtonin kanë shënuar nivel të ulët të bashkëpunimi si pasojë e mungesës së besimit nga ana e liderëve kosovarë.

“SHBA-të janë aleati më i mirë dhe i fuqishëm i Kosovës në botë. Fatkeqësisht, në vitet e fundit falë politikës të gabuar të institucioneve tona shtetërore, marrëdhëniet ndërshtetërore kanë shënuar një nivel shumë të ulët të bashkëpunimit si pasojë e mungesës së besimit nga ana e liderëve tanë institucional ndaj SHBA-së. Mirëpo për fatin tonë të mirë, administrata amerikane e di se qytetarët tanë dhe shoqëria e jonë në tërësi, nuk është fajtore për qasjen e gabuar të lidershipit aktual shtetëror në relacion më SHBA-të. Në këtë kontekst, unë mendoj se ftesa e ardhur për Kosovën është meritë absolute e ndjenjës proamerikane e qytetarëve dhe shoqërisë tonë. Pra, SHBA-të kanë vendosur të dërgojnë ftesën për Kosovën përkundër zhgënjimit të tyre me situatën aktuale sepse nuk kanë dashur që të ndëshkojnë Kosovën dhe qytetarët e saj për shkak të gabimeve të lidershipit aktual shtetëror”.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politik dhe Juridike, ka deklaruar për Klankosova.tv se pjesëmarrja e Kosovës në Samitin për Demokraci duhet maksimalizohet për të pasë më shumë përfitime.

“Do të rezervohesha ta quaja të vonë, pasi që në këtë mënyrë do të ndërhyja në diskrecionin e dikujt tjetër, në këtë rast të SHBA-së. Pavarësisht kohës së kur ka ardhur ftesa, më e rëndësishme është që Kosova është ftuar, dhe ky është një lajm dhe ndodhi e mirë që të gjithë duhet t’i gëzohemi. Dhe, si e tillë pjesëmarrja duhet të maksimalizohet nga ana e Kosovës për të korrur sa më shumë përfitime dhe për ta imponuar veten për të mirë”.

Në Samitin për Demokraci do të flitet për mbrotjen kundër autoritarizmit, adresimin, luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Rreth asaj se si qëndron Kosova në këto tema në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Fetahu ka pohuar “Nëse e shohim nga funksionimi i demokracisë, balanci i pushteteve, lirisë së shprehjes, veprimin e shoqërisë civile, zgjedhjet e lira dhe demokratike, Kosova qëndron shumë më mire se shumë vende të rajonit.  Prandaj, edhe ftesa për pjesëmarrje është e natyrshme. Kosova që nga viti 2008 ka bërë hapa të vazhdueshëm drejt konsolidimit të një demokracie pluraliste dhe funksionale”.

“Gjatë rrugës ka pasur gabime, ngecje e sfida, por në një vështrim të përgjithshëm është një progres që  duhet theksuar. Po ashtu në temën e luftimit të autoritarizmit Kosova qëndron më mirë se Serbia për shembull. Kosova pavarësisht që qeveriset nga një shumicë e fortë, nuk mund të karakterizohet si shumicë autoritariste. Po, ashtu në sferën e luftimit të krimit dhe korrupsionit Kosova ka bërë disa hapa që ende nuk janë të mjaftueshëm, dhe në këtë pikë mund të ketë përmirësim, por iniciativa ka pasur dhe disa herë është vërtetuar se sistemi mund të funksionojë mirë”.

Samiti do të mbahet edhe gjatë së premtes, kurse presidentja e Kosovës prezantimin e saj do ta ketë gjatë ditës së sotme me fillim nga ora 16:00.

Të ngjashme