Plani i Daut Haradinajt për zjarrfikësit e Prishtinës, zgjidhje e statusit dhe sigurim shëndetësor

Prishtinë | 06 Tet 2021 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Zjarrfikësit në Prishtinë, sikurse në të gjithë Kosovën, punojnë në kushte të rënda, përkundër misionit tejet human që ata e kanë në shoqëri.

Zakonisht zjarrfikësve nuk u kushtohet ndonjë vëmendje e madhe as në fushata zgjedhore, sepse ata janë pak dhe nuk përbëjnë numër të madh votash.

Megjithatë, për dallim prej herave të tjera, kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj e ka në programin qeverisës çështjen e zjarrfikësve të Prishtinës.

Mes ikave tu flitet për zjarrfikësit, në programin e kandidatit të AAK-së, është edhe ofrimi i sigurimit shëndetësor për zjarrfikësit e Prishtinës.

Haradinaj synon që një trajtim i veçantë t’i kushtohet së pari statusit të pazgjidhur të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, me ç’rast prioritet do të jetë trajtimi i dinjitetshëm i tyre. Kjo gjë nënkupton se një qeverisje e re e kryeqytetit me Haradinajn kryetar, do të kujdesej që personeli i zjarrëfikësve të jenë në nivel profesional dhe të jetë i pajisur me mjete të teknologjisë më të re për punë.

Paraprakisht, në kuadër të Sektorit për Siguri dhe Emergjenca do të krijohet drejtoria e posaçme e zjarrfikësve, e cila për një periudhë të shkurtër do të punojë në zgjidhjen e statusit të kësaj brigade, të sigurimit shëndetësor për zjarrfikësit, por edhe zgjerimin e personelit.

Një analizë tjetër që është bërë në programin e Haradinajt, ka të bëjë me ndërtimet e hovshme dhe të larta në Prishtinë. Ky trend, sipas Haradinajt, imponon decentralizimin e zjarrfikësve, por edhe të shërbimeve të tjera emergjente, për t’iu përgjigjur nevojave në rast të fatkeqësive të zjarrit apo aksidenteve të natyrave të ndryshme.

Haradinaj, gjatë fushatës, i ka vizituar dhe ka biseduar me zjarrfikësit në Prishtinë.

Ata i kanë mirëpritur propozimet e Haradinajt dhe i kanë dhënë mbështetje në kandidaturën e tij, me shpresën që problemet e tyre të natyrës statusore, por edhe të natyrave të tjera, të zgjidhen një herë e përgjithmonë.

Haradinaj ka një program të gjerë dhe origjinal, të ndërtuar mbi analiza e hulumtime paraprake, mbi problemet dhe nevojat e Prishtinës. Si i tillë, programi i tij me sukses ka arritur të trajtojë shumicën e nevojave të shumta të kryeqytetasve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme