Platforma e Qeverisë për dialogun me Serbinë më e dobët se dy më të hershmet

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 11:21 | Nga

Platforma e Qeverisë për dialogun me Serbinë është shumë e dobët, krahasuar me dy platformat e mëhershme, atë të marsit 2011 dhe platformën 2014-2018.

Kështu vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës, sipas të cilit dokumenti aktual, ashtu si është mund të quhet rezolutë, por jo platformë. Kjo, sipas këtij instituti, bën që mos te ketë konsensus, sidomos për bartësin e dialogut, e që është mjaft e dëmshme për vendin.

Duke krahasuar platformën aktuale të dialogut me dy platformat e mëhershme, hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, thotë se platformat paraprake së paku e kanë pasur të përcaktuar strategjinë e dialogut, agjendën, objektivat dhe ekipin negociues, elemente këto, që sipas saj, nuk i ka platforma aktuale. Kjo sipas Haxhollit, e bën më të vështirë konsensusin politik për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë. Sidomos këtë konsensus e vështirëson çështja e përfaqësimit, ngase disa subjekte politike janë kundër që presidenti Hashim Thaçi të jetë kryenegociator. Kjo mungesë e unitetit, sipas Haxhollit, është e dëmshme për vendin, e dëmet mund të rriten edhe më shumë kur marrëveshja eventuale që mund të arrihet në këtë dialog, të shkojë në Kuvend për ratifikim.

“Prandaj është mirë që në këtë fazë të ketë konsensus më të gjerë të spektrit politik, në mënyrë që marrëveshja përfundimtare të jetë e pranueshme për shumicën parlamentare, dy të tretat që nevojitet për miratimin e saj”, tha Haxholli për Radio Kosovën.

Nëse kalon në Kuvend ajo që Qeveria e quan platformë, dhe presidenti do ta marrë rolin e kryenegociatorit, sipas Haxhollit, duhet që presidenti t’ia paraqesë Kuvendit një dokument më të plotë lidhur me atë se si do ta udhëheqë ai dialogun, cilat janë vijat e kuqe të Kosovës, cila është strategjia, objektivat dhe çka pret Kosova nga kjo fazë e re e dialogut.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se më e rëndësishme në këtë proces do duhej të ishte afati kohor kur duhet të përfundojnë bisedimet dhe vijat e kuqe të Kosovës, se sa emri i kryenegociatorit që mund të jetë edhe presidenti Hashim Thaçi, por që po kundërshtohet nga një pjesë e spektrit politik.

“Këto mospajtime, këto përplasje për emrin e Thaçit, nuk bëhen pa arsye, për shkak se ai edhe gjatë kohës sa i ka udhëhequr bisedimet si kryeministër është treguar negociator i dobët dhe marrëveshjet problematike që i kemi me Serbinë janë pikërisht rezultat i bisedimeve të Thaçit, dhe në anën tjetër ai nuk ka arritur ta luaj rolin e unifikuesit”, tha Mushkolaj.

Gjithsesi, mungesën e konsensusit të spektrit politik për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë, njohësit e zhvillimeve politike e vlerësojnë si shumë të dëmshme për vendin. Platforma e Qeverisë për finalizimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë të diskutohej në Kuvend, por të martën, me kërkesë të kryeministrit është tërhequr nga rendi i ditës, në mënyrë që t’i jepet kohë dhe hapësirë ndërtimit të një konsensusi dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme