Plotësohet Ligji për ndërtimet pa leje, mund të ndryshojë dhe data e legalizimit

Prishtinë | 13 Dhj 2017 | 14:35 | Nga Donika Osmani

Komisioni parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor në mbledhjen e mbajtur sot shqyrtoi në parim Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Kryetar i këtij komisioni, Daut Haradinaj nga AAK, tha se për Trajtimin e ndërtimeve pa leje në krahasim me atë të kaluarës ka disa modifikime, raporton Ekonomia Online.

“Në bazë të diskutimeve që i kemi pasur në komision dhe në bazë të kërkesës i kemi bërë edhe si anëtar të komisionit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, tash veç e kemi marrë Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje edhe ky projektligj natyrisht që ka qenë në të kaluarën, por tash me disa modifikime. Unë mendoj që ky ligj duhet me marr përkrahjen e komisionit, dhe në lexim të dytë duhet të japim të gjithë kontributin tonë”.

“I kemi marrë disa udhëzime prej komisionit legjislativ të parlamentit që ma shumë janë shpjegime sesa të jenë ndërhyrje brenda ligjit, sa paragraf duhet t’i ketë një amendament. Kishte qenë mirë që sa ma shpejtë na me procedua dhe sa ma shpejtë me dërgua në Kuvend, dhe sa ma shpejtë me bo leximin e dytë dhe me procedua prapë me i kaluar amendamentet dhe me i procedua për votim”.

Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se kur ligji hyn në fuqi deri në atë ditë ndërtimet pa leje që janë ndërtuar mund të legalizohen.

“Duhet me pas punë ma shumë me ministrinë, unë mendoj që ky projektligj në raport me ligjin për legalizim është më i avnasum, më i përpunuar, ka pas një procedurë të gjatë të përpunimit dhe ka pas një procedurë të diskutimit deri sa është draftuar”.

“Brenga ime është se mund të na dështojë ligjin është caktimi i datës së legalizimit deri kur objektet e caktuara mund të legalizohen dhe kjo lidhet me këtë ligj, pra me datën kur ky ligj hyn në fuqi. Pra prej ditës kur ligji hyn në fuqi deri në atë ditë ndërtimet pa leje që janë ndërtuar mund të legalizohen”.

“Në ligjin e kaluar e kemi pas një ortofoto që është bërë në vitin 2012, kurse ligji ka folur për vitin 2013 dhe objektet e ndërtuara në ndërkohë është dashtë me u gjet në ortofoto; është dashtë me u verifiku a janë ndërtuar a jo. Ortofoto është e rëndësishme. Nëse kishim mund të dakordohemi me Ministrinë e Mjedisit që me u bo një ortofoto dhe data e legalizimit me qenë data e ortofotos”.

Të ngjashme