Po përmendet për shkarkim, por Glauk Konjufca po punon me kapacitet të plotë

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ka zëra të ndryshëm që thonë se Glauk Konjufca mund të jetë ‘kurban’ i një koalicioni potencial të Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shkarkimi i tij po përmendet si shtegëdalje për arritjen e një koalicioni Kurti-Mustafa. Por edhe përkundë kësaj Konjufca duket se nuk po e ndjenë presionin dhe po e shijon punën dhe detyrën e re prej kryeparlamentari.

Konjufca sot ka takuar ambasadorin e Sllovenisë në Prishtinë, Bojan Bertoncelj, me të cilin ka diskutuar  raportet e mira që të dy vendet kanë ndërtuar ndër vite.

Ambasadori Bertoncelj e ka uruar Konjufcën pas zgjedhjes në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ndërkohë ky i fundit ka falendëruar Slloveninë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në të gjithë proceset.

Konjufca ka thënë se nëpërmjet kësaj mbështetjeje, Kuvendi ka arritur të avancojë kapacitetet në shumë aspekte të punës së tij, ndërsa theksoi nevojën që bashkëpunimi midis dy parlamenteve të forcohet edhe më tej në të ardhmen.

Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit me shumicë votash më 26 dhjetor. Emri i tij për kryetar Kuvendi ishte propozuar nga Vetëvendosje, e edhe përkundër faktit se nuk kishin marrëveshje, votat pro tij i ka dhënë edhe LDK’ja. Kjo pasi që për një gjë të tillë ishin dakorduar në mbledhjen e kryesisë pak para fillimit të seancës.

Deri para 26 dhjetorit, LDK dhe VV ishin pajtuar që posti i kryetarit të Kuvendit dhe 5 ministri t’i takojnë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme