Podujeva dhe Mitrovica e Veriut në pritje të presidentit

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka marrë vendim lidhur me kohën kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut. Në Podujevë zgjedhjet është dashur të mbaheshin në mars, por janë shtyrë shkaku i situatës së krijuar me koronavirus.

Derisa Mitrovica e Veriut ka mbetur pa kryetar, pasi Goran Rakiqi është zgjedhur zv. kryeministër në Qeverinë Hoti.

KOHA e ka pyetur për këtë presidentin, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet.

Gjatë të mërkurës nga zyra e tij kanë thënë se kreu i shtetit është duke përcjellë “gjendjen e krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor është në pritje të vendimit të presidentit të vendit.

Instituti Demokratik i Kosovës e konsideron të paarsyeshme mosveprimin e deritanishëm të presidentit sa i përket kësaj çështjeje.

Me gjithë këtë, Eugen Cakolli nga KDI-ja thotë se këto komunat do të mund të udhëhiqeshin edhe nga nënkryetarët, për shkak se kanë mbetur rreth 1 vit deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në gjithë vendin.

Lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe masat që do të duhej të merreshin, KOHA gjatë të mërkurës ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga IKSHPK-ja, por zyrtarët e tij kanë qenë të paqasshëm.

Të ngjashme