Podujeva pa kryetar, Thaçi akoma s’ka vendosur për datë të zgjedhjeve

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi akoma nuk ka vendosur se kur të mbajë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Podujevë.

Në Podujevë janë shpallur zgjedhjet pas largimit të kryetarit shumëvjeçar të saj, Agim Veliut, nga komuna. Ky qytet do të shkonte në zgjedhje në mesin e marsit, por pandemia e la atë pa kryetar të zgjedhur.

Edhe pasi masat e ndërmarra për parandalim të përhapjes së virusit Covid – 19 janë lehtësuar, akoma nuk dihet se kur do të dalin për të votuar llapjanët.

Presidenca ka thënë për Gazetën Express se Thaci do të marrë “vendimin e duhur”, në konsultim me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe institucionet e shëndetsisë.

“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, kanë thënë nga Presidenca.

Në garën për kryetar të Podujevës, që njihet si bastion i LDK’së, është Nexhmi Rudari i kësaj partie, që momentalisht po e zëvendëson Veliun dhe deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi. PDK’ja garon me Naim Fetahun, ndërsa partitë e tjera nuk kanë caktuar kandidatë.

Agim Veliu, më 3 shkurt u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kurtit. Ai u shkarkua nga ky post në fund të marsit, e bashkë me largimin e tij, u largua edhe LDK’ja nga Qeveria.

Më 3 qershor, u votua Qeveria e re, e drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK’së. Veliu u rikthye sërish në pozitën e ministrit të Brendshëm.

Përvec Podujevës, formimi i Qeverisë së re do ta cojë edhe një komunë tjetër në zgjedhje. Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës Veriore, tash është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër në Qeverinë Hoti, ndërsa komunës veriore të Mitrovicës i duhet një kryetar i ri.

Të ngjashme