Policia e Serbisë ndalon për 4 orë deputetin Slobodan Petroviq

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 22:45 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës kanë reaguar pas informatës se në vendkalimin kufitar në Merdar, është ndaluar pa asnjë arsye nga policia serbe, deputeti i Republikës së Kosovës, Slobodan Petroviq, i cili është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës thotë se shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për ndalimin e sotëm të deputetit të tij, Sllobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.

“Deputeti Petroviq ishte duke udhëtuar në një vizitë familjare në Serbi (përkatësisht te motra e tij), në momentin kur është ndaluar (rreth orës 11:30) dhe intervistuar nga ana e xhandarmërisë serbe”.

Deputeti i katër legjislaturave të Kuvendit, njëherësh ish-nënkryetar i tij, Sllobodan Peptroviq, është liruar pas katër orë mbajtjeje dhe maltretimi nga ana e organeve serbe të sigurisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon ashpër ndalimin e deputetit të tij, duke e konsideruar atë akt të ulët dhe të papranueshëm.

Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga udhëheqja e Parlamentit të Serbisë që të distancohet dhe të dënojë rastin, i cili, si i tillë, paraqet shkelje flagrante të të drejtave të njeriut e të lëvizje​s së lirë.

Kurse, Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyerjeve nga autoritetet serbe.

Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të patolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpiten sa më shpejtë dhe që në të ardhmen asnjë qytetarë i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë problem të tilla.

“Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situata të tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë”, theksohet në reagimin e Qeverisë.

Të ngjashme