Policia mohon se po e presin Pacollin para aeroportit

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 18:07 | Nga Fitore Berisha

Policia e Kosovës është parë duke e pritur deputetin Behgjet Pacolli në hyrje të Aeroportit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani e ka mohuar se Policia po qëndron aty në pritje të Pacollit.

“Policia rrin cdo ditë në aeroport”, ka thënë shkurt Kelani për Ekonomia Online.

Kthimi i Pacollit në Kosovë është kthyer në një dramë politike, pasi Qeveria e Kosovës e ka paralajmëruar atë se nëse hyn në Kosovë, do t’i nënshtrohet masave të karantimit, sipas vendimit, me anë të së cilit kosovarët që vijnë nga jashtë, izolohen në konviktet e studentëve në Prishtinë.

Pacolli, që deri tash ka qëndruar në Zvicër, e ka fajësuar Qeverinë Kurti që po dëshiron ta pengojë në ushtrimin e detyrës së tij si deputet.

Ai të martën ka ateruar në Tiranë, ku ka qëndruar një ditë.  

Të ngjashme