Politikanët nën verifikim të shumëfishtë

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes që të ndihmojnë procesin e verifikimit të kandidatëve sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Shpallja e datës së zgjedhjeve pasoi publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte bërë në mënyrë jokushtetuese.

Në aktgjykim thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Për Qeverinë Hoti kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të formës së prerë, për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një viti.

Të gjithë kandidatët tashmë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha planifikimet janë bërë dhe nuk pritet të ketë vonesa në këtë proces të verifikimit.

“Me qëllim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit, certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”, thotë Elezi.

Elezi shpjegon se pasi t’i kenë pranuar përgjigjet për verifikim nga institucione përkatëse, Zyra për regjistrimin do të paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve.

“Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-së. KQZ-ja do të veprojë sipas vendimeve që dalin nga këto institucione”, sqaron Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

“Në bazë të planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, ne presim përgjigje për verifikim të kandidatëve nga institucionet që përmenda më lart, deri më 20 janar, pasi në bazë të këtij plani është paraparë që listat me emrat e kandidatëve t’ua dërgojmë më 18 janar”, thekson Elezi.

Nga ana tjetër, në një përgjigje me shkrim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se “Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëse do të ketë një kërkesë nga KQZ-ja, atëherë këto informata do t’i jepen në afatin e paraparë që kërkohet nga ana e tyre”.

Subjektet politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, sipas KQZ-së, mund të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 16 janar, në orën 18:00.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, secili person emri i të cilit paraqitet në listën e votuesve është i aftë për certifikim si kandidat, përveç nëse ai apo ajo është gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtar i Policisë së Kosovës, pjesëtar i Shërbimit Doganor të Kosovës, pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kryesues i një agjencie të pavarur, përfaqësues diplomatik, kryesues apo anëtar i KQZ-së, pjesëtar i PZAP-së, anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti, pjesëtar i ndonjë force policore apo i një trupi të ngjashëm, i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vjetët e fundit dhe të tjera.

Me vendimin e Kushtetueses është aktualizuar çështja e kandidimit të liderit të Vetevendosjes, Albin Kurti, në zgjedhjet e ardhshme.

Kurti bashkë me deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi më 3 janar, 2018 janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, më 6 janar deklaroi se në zgjedhjet e reja, listës së kësaj partie do t’i prijë Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme