Porosia e kryeparlamentares Osmani në 22-vjetorin e Epopesë: Të gatshëm për mbrojtjen e sovranitetit

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 12:59 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krerët e shtetit janë bërë bashkë në kazermën “Adem Jashari” në manifestimin qendror për shënimin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në fjalën e saj porositi ushtarët se duhet të jenë gjithnjë të gatshëm për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

“Qëllimi ynë mbetet mbrojtja e atdheut tonë. Adem Jashari na e dha këtë shembull dhe çdo kadet duhet ta ketë parasysh sovranitetin e vendit dhe të jetë i gatshëm ta mbrojë”, tha ajo, raporton EO.

Osmani ka thënë se do të kujtohen me dhembje e me krenari Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët.

“22 vjet më parë familja Jashari po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe gjithë Kosovën. Sot në shënim të Epopesë së UÇK-së nga kazerma që e mban emrin e Adem Jasharit e kujtojmë me dhembje dhe me krenari të madhe atë dhe gjithë dëshmorët që e dhanë jetën për më të shtrenjtën liri”, tha ajo.

Osmani tha se çdo i ri e re mund ta gjejë pikën më të fortë të personalitetit te Adem Jashari dhe familja e tij.

“Çdo i ri ushtarak nuk mund të gjejë pikë më të fortë për sakrificë ndaj atdheut se personalitetin e Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ai u shndërrua në frymëzim për të rinjtë e Kosovës dhe në shembull të sakrificës”, tha ajo.

Osmani iu drejtua ushtarëve duke iu thënë se ata duhet ta bëjnë punën e tyre me përkushtim.

“Ju na bëni çdo ditë krenarë për përkushtimin dhe punën që po i bëni për të ngritur ushtrinë tonë në botë”.

Osmani tha se FSK-ja është e gatshme që të kontribuojë jashtë vendit në partneritet me NATO-n, ndërsa anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës.

Fjala e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë e parakalimit të trupave të FSK-së, në kazermën “Adem Jashari”

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës;

I nderuar President z. Hashim Thaçi,

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes z. Anton Quni,

I nderuar komandant i FSK, Gjeneral Rrahman Rama,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të dashur ushtarakë; oficerë dhe nënoficerë,

Ndihem e nderuar që, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, të ju drejtohem juve, Forcave të Sigurisë së Kosovës, që jeni sinonim i shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë.

22 vjet më parë në Prekaz familja Jashari po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, kundër një regjimi shfarosës, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familjeje, e cila bëri sakrificën sublime të vetëflijimit për atdhe, që ne ta gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë. Andaj, sot, në shënim dhe nderim të Epopesë së UÇK-së, nga kazerma që e mban emrin e komandantit Adem Jashari, ta kujtojmë me dhembje, por edhe me krenari Adem Jasharin, Hamëz e Shaban Jasharin, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, invalidët e luftës, që dhanë gjymtyrët e trupit për më të shtrenjtën liri.

​ 

Të dashur ushtarakë! 

Çdo i ri ose e re që ka ëndërr jetësore uniformën ushtarake dhe shërbimin ndaj atdheut, në Ushtrinë e Kosovës, nuk mund të gjejë pikë më të fortë referuese e frymëzuese për sakrificë ndaj atdheut, sesa personalitetin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij. Me heroizmin e tij, që kulmoi me datën 5, 6 dhe 7 mars të vitin 1998, ai krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm shoqëror, u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë e Kosovës, duke e ngjallur frymën e kryengritjes. Ai u shndërrua në shembull të sakrificës, të cilin e ndoqën shumë të rinj e të reja , të cilët u flijuan për Kosovën.

Të dashur pjesëtarë të Forcave tona!

Ju gëzoni respektin dhe besimin qytetar për rolin dhe angazhimin tuaj, për përgatitjen dhe aftësimin e lartë profesional që posedoni, por mbi të gjitha, ky vlerësim i tillë në sytë e qytetarit të Kosovës, është sepse ata tek Ju shohin garancën dhe amanetin e Adem Jasharit dhe të bijve e bijave më të mirë të këtij vendi, të cilët na e lanë trashëgim vendin dhe na obligojnë që të mos lejojmë që asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës të preket.

Qytetarët në Ju dhe në aleancën e hershme dhe të përhershme me shtetet mike të Kosovës shohin garancën se edhe eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini në Boletin, në veri të vendit dhe kulla e Tij janë të pa paprekshme dhe të pacenueshme.

Të dashur ushtarakë!

Ne si vend e si komb asnjëherë nuk kemi pasur synime ndaj të tjerëve, qëllimi dhe misioni i vetëm i yni ka qenë dhe mbetet mbrojtja e atdheut tonë.

Ushtaraku i hershëm i këtij vendi, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, na e dha këtë shembull. Sot secili kadet, ushtar e oficer duhet ta ketë parasysh sa herë që mendon për qëllimin fisnik të ushtarakut, sovranitetin e vendit, të cilin, njësoj si komandant Jashari, duhet të jetë i gatshëm ta mbrojë e ta sigurojë.

Adem Jashari, të cilin ne e kujtojmë sot, e dha shembullin se si mbrohet toka e këtij vendi, se si çdo cep i kësaj toke është i shenjtë dhe se si luftohet për të. Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë së tij,  e të shtëpisë së përbashkët, Kosovës. Kësisoj, ai u shndërrua në simbol të rezistencës e në simbol të ushtarakut të përkushtuar, i cili nuk rresht së punuari për ta mbrojtur atdheun. Ai e zgjodhi sakrificën sublime, siç do ta zgjedhtë secili ushtarak i ndershëm kur cenohet integriteti i vendit dhe kështu dëshmoi se liria është tepër e çmueshme dhe se sakrifica, përfshirë edhe atë më sublimen, është e pamatshme krahasuar me të.

Sot, ju jeni pjesëtarë të një force të armatosur, keni mision të shenjtë mbrojtjen e atdheut dhe sigurimin e tërësisë së tij territoriale. Ju i shërbeni atdheut çdo ditë dhe për këtë duhet të jeni krenarë. Por, po çdo ditë ju duhet ta ktheni kokën pas dhe ta kujtoni sakrificën e Adem Jasharit dhe të mijëra bijve e bijave të këtij vendi, të cilët e panë Kosovën të lirë dheu përkushtuan për ta bërë atë shtet të denjë e të pacenueshëm. Në krahët tuaj ju e mbani stemën e Republikës, të kësaj Republike e cila u krijua mbi sakrificën e shumë brezave. Prandaj, Ju duhet të siguroheni se ajo do të jetë stema e vendit që e projektoi e për të cilin luftoi Adem Jashari:

Ju na bëni krenar me punën dhe përkushtimin që po tregoni për t’i ngritur Forcat tona në mesin e ushtrive më moderne të botës.

Forcat tona do të zhvillohen edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Ato që tani janë të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit të vendit, në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n. Por, ne duam që ky partneritet strategjik të thellohet edhe më tej. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë. 

Shembulli i ushtarakut se si shërbehet me nder dhe besnikëri, le të jetë udhërrëfyes për çdo udhëheqës të institucioneve e zyrtarë shtetëror që ka dhënë betimin në shërbim të atdheut dhe në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial.

Zoti i bekoftë Forcat tona dhe Kosovën tonë!

Zoti e bekoftë familjen Jashari!

Nderime atdheut!

Të ngjashme